OSBE kërkon që përgjegjësit e masakrës së Mejës të dalin para drejtësisë

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përsëritur thirrjen që personat përgjegjës për personat e zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 të dalin para drejtësisë.

Përmes një reagimi në Twitter, ky mision ka thënë se sot, në Ditën e Personave të Zhdukur, kujtojnë edhe masakrën e tmerrshme të bërë 24 vite më parë në Mejë të Gjakovës.

“Ne kujtojmë të gjithë të zhdukurit që nga viti 1998-99 dhe ripërtërijmë thirrjen tonë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë” – ka thënë OSBE.

OSBE ka thënë se kjo është thelbësore për ndërtimin e besimit, shërimin e plagëve të së kaluarës për familjet dhe të dashurit e të zhdukurve.

Po ashtu OSBE u ka bërë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të vazhdojnë punën për të hedhur dritë mbi fatin e të zhdukurve.