Organizata Botërore Meteorologjike: Ky vit ishte më i nxehti, viti 2024 mund të jetë edhe më i nxehtë

Udhëheqësit botërorë janë takuar në Dubai të enjten për samitin vjetor të klimës COP28 të OKB-së.

Një muaj nga fundi i vitit, dihet se në vitin 2023 bota do ta arrijë ngrohjen globale prej rreth 1.4 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, njoftoi të enjten Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Raporti i ndërmjetëm i WMO për gjendjen e klimës globale konfirmon se viti 2023 do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar dhe me një diferencë të madhe krahasuar me vitin më të ngrohtë deri më tani.

Në vitin 2016, bota ishte rreth 1.2 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale.

Nivelet e gazit serrë janë në nivele rekord. Temperaturat globale janë në një rekord të lartë. Rritja e nivelit të detit është rekord e lartë. Akulli i detit Antarktik është në një nivel rekord të ulët, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i WMO, Petteri Taalas.

Rezultatet e raportit, megjithatë, nuk do të thotë se bota do ta kalojë pragun afatgjatë të ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius, që shkencëtarët thonë se është kufiri i sipërm për shmangien e ndryshimeve katastrofike klimatike sipas Marrëveshjes së Parisit 2015.

Për një skenar të tillë, niveli i ngrohjes do të duhej të ruhej më gjatë.

Këtë vit, akulli i detit në Antarktidë arriti shtrirjen maksimale dimërore më të ulët në histori.

Ishte rreth 1 milion kilometra katror më i vogël se në vitin rekord të mëparshëm.

Akullnajat e Zvicrës kanë humbur rreth 10 për qind të vëllimit të tyre të mbetur në dy vitet e fundit, thuhet në raport, ndërsa zjarret kanë djegur një sipërfaqe rekord në Kanada, e cila përbën rreth 5 për qind të sipërfaqes pyjore të Tokës.

Ndryshimet klimatike, të nxitura nga djegia e lëndëve djegëse fosile, të kombinuara me shfaqjen e fenomenit natyror El Nino në Paqësorin lindor, ndikuan në të dhënat e lartpërmendura.

Viti i ardhshëm mund të jetë më i keq, thonë shkencëtarët, pasi ndikimi i El Ninos ka të ngjarë ta arrijë kulmin këtë dimër dhe të çojë në temperatura më të larta në vitin 2024./Dnevnik.hr