Orari 12 orësh ua vështirëson policëve votimin nga një qytet në tjetrin

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme janë angazhuar që të punojnë në orar 12 orësh për shkak të zgjedhjeve lokale që po mbahen në Kosovë.

Ky orar po u “pamundëson” disa zyrtarëve policor të Klinës të shkojnë dhe të votojnë në vendvotimet ku janë të regjistruar pasi të njëjtit janë në orar të punës në Gjakovë.

KALLXO.com ka marrë informacione se dhjetë zyrtarë policor nuk kanë arritur deri më tani të votojnë për shkak të orarit të punës, i cili u është caktuar nga ora 7:00 e mëngjesit kur janë hapur qendrat e votimit dhe do të qëndrojnë në punë deri në orën 19:00 kur edhe zyrtarisht mbyllet votimi për zgjedhjet lokale të cilat po mbahen sot.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Policisë së Rajonit të Gjakovës, Lumni Grishta.

“Nuk e kanë të pamundur të votojnë për shkak se ndërrimet që janë 12 orësh dhe policët janë në sigurim permanent, pika statike gjatë gjithë procesit zgjedhor kanë filluar orarin në orën 3:00 dhe e përfundojnë pasdite ndërrimin, ata që janë në detyra të rregullta nga ora 7 e mëngjesit deri në mbrëmje këta e kanë mundësinë me shku me votu në grupe”, tha Graishta për KALLXO.com.

Edhe Graishta përmend çështjen e punës së zyrtarëve policor të cilët në këtë rast janë nga qyteti i Klinës ndërsa punojnë në Gjakovë.

“Për shkak se ata janë në detyra të rregullta u jepet kjo mundësi sepse ata mbulojnë kohën prej kur janë hapur qendrat e votimit deri në mbyllje dhe në vendet ku ata punojnë nuk munden me votu kështu që u jepet mundësia që në grupe nga 2- 3 zyrtarë me shku me votu”, shton tutje Graishta.

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetar të komunave.

Vendvotimet hapen në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e sotme është 5,364, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,198 kandidatë për kuvende komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18-vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

KQZ ka njoftuar se numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021 është 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve është 1 mijë e 158 votues.

Për të votuar, qytetari duhet të ketë njërin prej këtyre dokumenteve të vlefshme të identifikimit: Letërnjoftim, pasaportë, dokument i udhëtimit dhe patentë shofer.