Kabina e votimit në qendrën e votimit në Soqanicë - 21.04.2024

Pamje - Vendosja e kabinës së votimit në Soqanicë mund ta rrezikojë fshehtësinë e votimit

Në fshatin Soqanicë të komunës së Leposaviqit është shënuar vota e katërt pro apo kundër largimit të kryetarit të Komunës.

KALLXO.com ka siguruar pamje teksa qytetari po ushtronte të drejtën e votës.

Gjatë këtij procesi është parë se kabina e votimit nuk është e kthyer nga muri, dhe rrjedhimisht votuesi nuk mund ta ketë privatësinë e plotë gjatë plotësimit të fletëvotimit.

Po ashtu në këtë vendvotim afërsia e qytetarëve me kabinën ku votohet është tejet e afërt dhe kjo mund të rrezikojë fshehtësinë e votimit.

(Shënim: Pjesën e videos në momentin kur voton qytetari, Redaksia e KALLXO ka vendosur ta mbuloj pamjen pasi nuk ka dashur ta rrezikojë fshehtësinë e votimit) 

Lidhur me këtë, ekipi i KALLXO.com ka pyetur kryesuesin e këtij vendvotimi, Fatmir Cacaj. Ai thotë se kabina është vendosur në mënyrë të rregullt.

Sipas tij rregullat e reja të KQZ-së thonë që kabina të vendoset në formën çfarë e kanë vendosur ata në këtë qendër votimi.

“Jo nuk është shkelje e rregullave të KQZ-së. Kabinat janë vendosur dhe ne e kemi bërë organizimin e vendvotimeve sipas rregullave të KQZ-së”- tha Cacaj për KALLXO.com.

“Rregullat e reja të KQ-së, ndryshimet ligjore të cilat janë bërë brenda KQZ-së parashihet që kabina e votimit të jetë në këtë formë”- tha ai.

Cacaj ka thënë se në këtë qendër të votimit kushtet janë jo të favorshme që të përfillen të gjitha rregullat, mirëpo ai theksoi se do të mundohen që të njëjtat të zbatohen.

“Po e shihni se jemi pak në kushte jo të favorshme që t’i përfillim të gjithë organizimin dhe të gjithë procedurat ashtu siç shihen. Ne prapë se prapë mundohemi që të gjitha rregullat t’i zbatojmë, mirëpo kushtet fizike nuk janë edhe aq të përshtatshme këtu që të kemi një prezencë ose organizim për arsye se dhomat janë shumë të vogla edhe brenda kësaj hapësirë mundohemi të funksionojmë sipas rregullave që i ka vendosë KQZ-ja”- tha ai.

Cacaj u shpreh se edhe pse nuk është hapësira e duhur, në bazë të këtyre kushte do të mundohen ta zhvillojnë procesin e votimit.

“Nuk kemi zgjidhje më të mirë apo më funskionale, brenda këtyre kushteve duhet të mundohemi që të organizojmë dhe të funksionojë gjithçka. Nuk është hapësira e duhur por në bazë të këtyre kushteve do mundohemi ta zhvillojmë këtë proces”- deklaroi kryesuesi vendvotimit në Soqanicë.

Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq sot pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Çdo person ka të drejtë për të votuar në zgjedhje në përputhje me këtë ligj nëse i ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet në ditën kur mbahen zgjedhjet.

Gjithashtu sipas nenit 89 të këtij ligji “E Drejta e Votës dhe Fshehtësia e Votës”, secili votues e plotëson fletëvotimin e vet në fshehtësi mbrapa kabinës së votimit.

Në këtë nen, theksohet se vetëm një person lejohet mbrapa kabinës së votimit gjatë një intervali të caktuar kohor përveç nëse votuesi ka kërkuar ndihmë nga personi tjetër.

Mirëpo, në këtë rast prapa votuesit në fjalë, shihen edhe disa persona prapa tij.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Lajm në zhvillim – Votimi pro/kundër për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri