Ilustrim

"Ora policore", qytetarja ankohet se u dënua nga Policia duke u kthyer nga puna

Një qytetare është ankuar në rrjetin social në Facebook në lidhje me masat e reja të vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kjo pasi që e njëjta ka thënë se është dënuar me 200 euro gjobë nga ana e Policisë së Rajonit të Pejës deri sa ishte duke u kthyer nga puna për në shtëpi.

Dafina Boja, ka kritikuar masat e vendosura duke thënë se në ora 17:30 kishte përfunduar punën të cilën e kryen në Prishtinë dhe ishte nisur drejtë shtëpisë ku jeton në Pejë.

Në hyrje të qytetit ishte dënuar nga policia ndërsa këto masa i quajti ‘hajgare’.

“Masa hajgare-Shtet hajgare-popullin Zoti e shpëtoftë. Ky është shteti i Armend Zemajt! Në ora 17:30 e kam përfunduar orarin tim të punës në Prishtinë dhe jam nisur për në Pejë në shtëpi. Në ora 19:00 policia e Pejës në hyrje të qytetit, me urdhrat e Avdullah Hotit, Armend Zemes dhe te tjerëve me shqiptuan gjobë 200 euro”, ka shkruar Boja në Facebook.

Në tiketën të cilën e ka publikuar edhe në rrjete sociale shkruhet se Boja është ndaluar nga policia rreth orës 19:45 ndërsa shqiptimi i dënimit është për mos respektim të kufizimit të lëvizjes e cila është vendosur si masë nga ora 19 deri në orën 5 të mëngjesit për zonat të cilat kanë numër të lartë me të infektuar.

Në anën tjetër një mori masash janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë. Masat e vendosura janë kategorizuar në tri pjesë, për zonat e gjelbra (zonat që nuk kanë numër të lartë me të infektuar me COVID-19), zonat me ngjyrë të verdhë janë zona me rrezik të mesëm e të cilat zona kanë nga 75 deri në 150 të infektuar me coronavirus si dhe zonat me rrezik të lartë apo të kategorizuara si zona të kuqe ku numri i të infektuarve është më shumë se 150.

Sipas Qeverisë së Kosovës secili qytetar duhet të respektoj masat varësisht nga zona të cilës i përket.

Gjatë ditës së sotme është shënuar numër rekord i të prekurve me COVID-19. Nga 2 mijë e 56 testime pozitiv kanë rezultuar 963, ndërsa gjithashtu u shënuan edhe 13 viktima.