Opozita thërret seancë të jashtëzakonshme për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri njofton se ka dorëzuar kërkesën e mbështetur nga 40 deputetë për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend nesër nga ora 11:00.

Tahiri thotë se do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Sapo dorëzova kërkesën e mbështetur nga 40 deputetë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër nga ora 11:00, ku do të kërkojmë përgjegjësi për aktualitetin e krijuar me rastin e arrestimit për korrupsion të zyrtarit të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, i emëruar nga pushteti në krye të KEK-ut”- ka njoftuar Kransiqi.

Edhe në seancën e së ejtes së kaluar, përmes një mocioni procedural PDK-ja kishte kërkuar debat parlamentar në lidhje me këtë çështje, mirëpo i njëjti nuk ishte mbështetur nga deputetët e Kuvendit.

Si rezultat, PDK-ja më pas braktisi seancën.

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, javën e kaluar u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit’.

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, Krasniqi është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Në njoftim thuhet se, Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu sot ka  bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.