Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Opozita kërkon nga Kurti të raportojë sot në Kuvend

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë kërkuar që kryeministri Albin Kurti të raportoj në Kuvend, lidhur me situatën e krijuar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi  ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, ta ftojë Kurtin sot për të mbajtur një seancë të veçantë.

Sipas Krasniqit, kidnapimi i tre policëve është akt agresioni ndaj Republikës.

“Dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë. Rrëmbimi i tre Policëve është akt agresioni saj  Republikës sonë. Në këtë moment përtej qëndrimeve prioritet duhet të jetë kthimi i policëve në vendin tonë. I nderuar kryetar unë ju ftoj që në emër të Kuvendit ta ftoni kryeministrin Kurti që të raportojë në një seancë të vecantë, se cilat janë veprimet e Qeverisë për kthimin e Policëve tonë por edhe situatën në veri të vendit”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kuvendi nuk mund të vazhdojë pikat e rregullta të seancës, duke u ndodhur në një situatë si kjo.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka përmendur disa çështje për të cilat sipas tij Kurti duhet të raportojë sot në Kuvend.

“Kërkoj që kryeministri të vijë sa më shpejt në një seancë të veçantë dhe të raportojë për situatën në veri, për gjendjen e zyrtarëve policorë për aq sa ka informacion, veprimet dhe masat që janë ndërmarrë”- ka thënë Gashi.

Ai ka kërkuar nga Kurti të raportojë lidhur me raportet me SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Edhe partia tjetër opozitare, AAK ka deklaruar se kanë të njëjtën kërkesë.

“Kërkojmë nga kryeministri që të vjen të bëjë raportim në kuvend për gjendjen e krijuar, por mbi të gjitha për daljen nga kjo situatë”- ka thënë shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor dje në kufirin Kosovë-Serbi, në Leposaviq.

Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se janë rritur kontrollet gjithashtu në pikë-kalimet kufitare me shtetin serb.

Kurti ka thënë se rasti i kidnapimit të tre policëve të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të Millun Millenkoviq i njohur si Llune, nuk mund të krahasohen.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij krijoi një situatë të tensionuar, ku një grup i qytetarëve serb u mblodhën pranë vendit ku ai po arrestohej, një lokal floktarësh, me qëllim që të kundërshtoheshin veprimet policore të NJSI-së që po ndërmerreshin.