Kryeprokurori special flet për rastin e Enver Sekiraqës

Pasi ishte ushtruar ankesë nga ana e Prokurorisë Speciale për vendimin të lirimit në arrest shtëpiak për Enver Sekiraqën, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që të aprovoj këtë ankesë dhe të njëjtin ta rikthente në masën e paraburgimit, aktvendim ky për të cilin njoftimi  bë më 17.05.2024. 

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com, nuk komentoi vendimin paraprak për masën e arrestit shtëpiak e tha se tashmë çdo veprim tjetër i takon vetëm gjykatës. 

Ai nuk komentoi vendimet e gjykatës as njërin e as tjetrin deri sa foli për veprimet që kanë ndërmarrë.

“Ne e kemi bërë punën tonë, rasti është tash në gjykatë cka do që keni ju lutem drejtohuni në gjykatë. Nuk është më në fazën e hetimeve nuk kemi më asgjë këtu”- tha Kryeprokurori Isufaj përmes telefonit për KALLXO.com

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda kishte marrë vendim më 03.05.2024 që të liroj nga paraburgimi Sekiraqën dhe ti ndryshoj masën në arrest shtëpiak. 

“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020, të datës 03.05.2024, të pandehurit E.S, i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak me datën 03.05.2024 dhe i njëjti është liruar të mbrohet në liri”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit. 

Në të njëjtin njoftim thuhet se Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin e datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit Enver Sekiraqa i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore. 

Brenda dy ditëve gjatë 17 dhe 18.05.2024, Policia e Kosovës tha për KALLXO.com se i shkoi në shtëpi Enver Sekiraqës për ta dërguar më pas në paraburgim por që nuk e gjeti aty. 

Kjo pasi që ndaj tij tashmë ekziston një vendim nga Gjykata e Apelit për tu rikthyer në masën e paraburgimit. 

Gjykata e Apelit më 17.05.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën, ndërsa ai është bërë i paarritshëm për Policinë e Kosovës. 

KALLXO.com mësoi fillimisht nga burime brenda ShKK-së se Sekiraqa ende nuk është paraqituar për t`u kthyer në paraburgim edhe pse Apeli vendosi për një gjë të tillë.

Pas kërkesave në Policinë e Kosovës për këtë cështje të njëjtit në një përgjigje kanë dhënë se kanë pranuar akvendimin nga Gjykata e Apelit të datës 17.05.2024 dhe i ka dërguar Sekiraqës por që ai nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. 

Meqënëse Sekiraqa nuk u has në shtëpi, Policia e Kosovës thotë se njoftoi organet e drejtësisë se ftesa i është dërguar por që ai nuk ishte në shtëpi. 

Edhe gjatë ditës së sotme (18.05.2024) Policia e Kosovës tha se për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. 

Për këtë situatë, menjëherë janë njoftuar edhe pikat kufitare që në rast se haset të ndalohet menjëherë. 

Policia kanë thënë se veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë.

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktoj dhe të marrë një qëndrim edhe nga avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi por e njëjta ka qenë e paqasshme përmes telefonit. KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Gjyqtari Agim Kuqi por ende deri në publikimin e këtij shkrimi kanë qenë të paqasshën.

Plot 17 vite më parë në Prishtinë, në moshën 27 vjeçare ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vite burgim. Mirëpo ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për drejtësinë është marrja e një verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Në gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vite burgim.

Vendim ky i marrë më 03.05.2024 nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda i kryesuar nga Agim Kuqi, me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfej për konfliktet në të cilat edhe vet kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Sëiss Casino”.

Kujtojmë se vetëm në gjykimin e fundit ndaj Sekiraqës janë ndërruar mbi katër Prokurorë të cilët kanë përfaqësuar rastin, Burim Qerkini duke qenë i fundit e që i kanë paraprirë Shpëtim Peci, Merita Bina Rugova e Haki Geci.

Raportimet e KLLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK