Foto: ZKM

Kurti priti ne takim udhëheqësit e koalicionit të partive shqiptare në Maqedoni të Veriut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës ka pritur në vizitë miqësore udhëheqësit e koalicionit VLEN të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi, të cilët i ka përgëzuar për rezultatin zgjedhor.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikatë theksoi se është hera e parë që opozita shqiptare arrin të prekë dhe të tejkalojë 100,000 vota.

“Përfaqësuesit e VLEN diskutuan me kryeministrin Kurti për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e për çështje të tjera të rëndësishme”- thuhet në komunikatë.

Tutje, zyra e Kryeministrit potencon se shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale.

“Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor”- bëhet e ditur në komunikatë.