Operacioni i bastisjeve, Prokuroria e Policia tregojnë çka u sekuestrua në pronat e Radoiçiqit

Automjete, anije, thika, pllaka antiplumb, dronë, gëzhoja e pajisje të tjera janë sekuestruar si prova materiale nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të bastisjeve që është zhvilluar mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës.

Policia dhe Prokuroria kanë njoftuar se aksioni që është zhvilluar në pesë lokacione në tri komuna me shumicë serbe në veri të vendit, ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24 shtator në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

Sipas Policisë, bastisjet janë kryer kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarve Millan Radoiçiq dhe Vladimir Radojeviq..

Pas kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: 2 automjete  Mercedes, 4.84 Kg argjend, 2 motora 4X4, 1 Anije, 7 DVR, 2 pllaka antiplumb me dy mbrojtës, 3 thika, 2 rutera, 2 celësa të veturave, 5 gëzhoja, 1 dronë, 5 USB, 1 kamerë GoPro- SSD, 1 video kamerë me kartelë, 1 shënjestër optike, 1 Spray, 7 telefona celular.

Infografika: Diar Vuçetaj/ KALLXO.com

Në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale do të parashtrojë urdhrin ndalues në gjykatën kompetente për sekuestrim të një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthouse dhe një lokal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje nga vila në afërsi të liqenit të Ujmanit, që i përket nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiqit.

Sveçla tha se pamjet dëshmojnë për një “Pablo Escobar” të rajonit.

“Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami””- ka thënë ai.

Milan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit, ku u vra një rreshter i policisë e u plagos një tjetër.

Letrën e Radoiçiq e lexoi para mediave, avokati i tij Goran Petronijeviq.

Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmin terrorist, pranon se qëndron mbrapa armatimit dhe logjistikës