James O'Brien, Foto: REL

O’Brien: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit

Ndihmëssekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien është pyetur në Shkup për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se dy shtetet duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit që është arritur në mars të vitit të kaluar.

“Ne fuqishëm mbështesim marrëveshjen e arritur në Ohër në marsin e kaluar dhe besojmë se të dyja shtetet duhet të angazhohen nëpërmjet dialogut të zbatojnë udhërrëfyesin plotësisht ”- ka thënë O’Brien pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Në ketë takim, O’Brien, tha se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor, bëjnë reforma te caktuara atëherë njerëzit do të lëvizin më lirshëm drejt BE-së.

Ai ka thënë se SHBA mbështet aspiratat europiane nga viti 1996.

“Ne mbështesim aspiratat europiane nga viti 1996, asnjëherë nuk keni qenë më afër. Përparimi na qon më afër arritjes së dobive. Kjo është çështje shprese sepse BE ka inovacione. Ky plan i rritjes dallon nga ofertat e tjera. Çdo shtet duhet ta bëjë punën e tyre dhe qytetarët do ta ndjejnë leverditë. SHBA-të kanë shpenzuar rreth 200 milionë dollarë ndihmë për rajonin dhe do të mbetemi të përkushtuar në këtë. Tani jemi të fokusuar në atë që vendin ta përfshijmë në tregun e vetëm”- ka thënë ai.

Më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.