Numri i të vdekurve nga tërmetet masive në Turqi dhe Siri në rritje e sipër

Numri i përgjithshëm i të vdekurve pas tërmeteve në Turqi dhe Siri më 6 shkurt ka kaluar 41,000 dhe vazhdon të rritet ende.

Kjo shifër vjen më shumë se një javë pas tërmetit vdekjeprurës të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkroi si fatkeqësinë më të keqe natyrore në 100 vitet e fundit.

Pavarësisht kalimit të periudhës prej më shumë se 72 orësh, periudhë në të cilën shpëtimtarët kanë shanset më të mira për të gjetur të mbijetuar, ka ende momente gëzimi kur foshnjat, fëmijët dhe të rriturit po nxirren të gjallë nga rrënojat.

Turqia

Të martën, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se më shumë se 35,000 njerëz vdiqën nga tërmeti në Turqi, duke e bërë këtë fatkeqësinë më vdekjeprurëse që nga themelimi i Turqisë 100 vjet më parë. Më parë, rekordi i tmerrshëm mbahej nga tërmeti i Erzincanit i vitit 1939, i cili la të vrarë 33,000 njerëz.

Erdogan i vizitoi të mbijetuarit në spital dhe është zotuar të ndërtojë mijëra shtëpi që u shkatërruan në dhjetë rajone brenda një viti, një premtim që duket i pamundur duke pasur parasysh shkallën e rrënojave masive.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ishin planifikuar në Turqi për 14 maj, por duke pasur parasysh pasojat e tërmetit, ka spekulime se ato do të shtyhen për një datë tjetër nga Presidenti.

Të mbijetuarit e tërmetit kanë mbetur të pastrehë dhe po përpiqen t’i plotësojnë nevojat bazë, të tilla si gjetja e veshjeve, strehimit dhe ushqimit në të ftohtin e ashpër. Numri emocional i një tragjedie kaq të madhe po rëndon edhe mbi të mbijetuarit, shumë prej të cilëve i kanë humbur anëtarët e familjes dhe miqtë.

Siria

Në Siri, situata është veçanërisht e dëshpëruar. Lufta civile një dekadëshe i ka komplikuar përpjekjet e ndihmës, krahas kushteve të dimrit dhe një shpërthimi të vazhdueshëm kolere.

Përpara tërmetit në fillim të vitit 2023, OKB-ja kishte bërë të ditur se rreth 15.3 milionë njerëz në Siri mendohet se kishin nevojë për ndihmë humanitare, një nivel më i lartë i të gjitha kohërave për vendin që po futet në vitin e tij të 12-të që nga fillimi i armiqësive.

Sanksionet e vendosura ndaj Sirisë i kanë kufizuar rrugët për në këtë shtet për punonjësit e ndihmës dhe furnizimet, dhe vonesat në heqjen e përkohshme të tyre kanë rezultuar në një reagim të ngadaltë ndaj një situate ku koha është tejet me rëndësi.

Të martën, ndihma ndërkombëtare më në fund arriti në Sirinë e kontrolluar nga rebelët, e cila është prekur në mënyrë disproporcionale në krahasim me zonat e kontrolluara nga qeveria, përmes një kalimi të sapohapur në veriperëndim të vendit.

Që nga 12 shkurti, në Siri janë raportuar të paktën 5,791 njerëz të vrarë, 4,377 prej tyre në Sirinë veri-perëndimore me me shumë sirianë të bllokuar ende nën rrënoja.

OKB-ja nisi dje një apel të shpejtë për më shumë se 397 milionë dollarë për të ofruar “ndihmë për 4.9 milionë njerëz me nevojat më urgjente humanitare gjatë 3 muajve të ardhshëm”.

OKB vlerëson se 8.8 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti në Siri, pothuajse 40 për qind e popullsisë./Euronews

 

Përgatiti: Nuhi Shala