Numërimi i votave në QNR, nga KQZ konfirmojnë praninë e Gani Gecit në sallë
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i votave nga jashtë Kosovës, përkatësisht votave të dërguara me postë.
Në media u raportua se ka ndodhur një debat i ashpër mes zyrtarit të LVV-së, Alban Krasniqi dhe Gani Gecit të LDK-së.
Nga KQZ-ja kanë thënë për KALLXO.com se brenda hapësirave ku po numërohen votat nuk ka pasur ndonjë incident.
Zyrtari i operacioneve zgjedhore në KQZ, Shkelqim Rexha, tha për KALLXO.com se zyrtarë policorë nuk ka pasur brenda sallës.
Ndërsa njoftoi se Gani Geci ka hyrë në sallë si vëzhgues i akredituar.
“Brenda kësaj hapësire nuk ka pasur kurrfarë incidenti. Për jashtë saj nuk jam përgjegjës, nuk e di. Jo, jo, s’ka qenë Polica këtu. Gani Geci ka hyrë si vëzhgues i akredituar, ka të drejtë si të gjithë të tjerët. Ma shumë s’kam çka”- u shpreh ai.
Lidhur me incidentin KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.
KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rreth orës 21:30 – 22:00, ku procesi i numërimit të votave po vazhdon.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të hënën më 03.03.2025 në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 143 nga 187, të votave me postë jashtë Kosovës.
Sipas KQ-së, procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.
Në ndërkohë, pas numërimit të mbi 30% të votave me postë – shtuar votave nga vendvotimet e rregullta dhe misionet diplomatike, njohësi i proceseve zgjedhore nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka prezantuar projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës.
Cakolli ka shkruar në Facebook se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para me shumicën e votave me postë, por sipas tij është dukshëm larg nivelit të përkrahjes sikur në votat në misionet diplomatike.
“Ajo çfarë bie në sy është një performancë tejet pozitive e LDK-së, e një e dobët e PDK-së” – thotë ai.
Megjithatë, siç shkruan Cakolli, procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, dhe trendet e votave të mbetura mund të sjellin disa prej ndryshimeve.“LVV është afër sigurimit të 49 mandateve, por që ta arrijë këtë, duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë. Me trendin aktual, kjo është e mundur, por jo e garantuar. LVV mund të arrijë edhe në 50 mandate, nëse fiton rreth (+) 70% të votave me postë. Me trendet e deritanishme, kjo është vështirë e arritshme, por e mundur” – shkruan ai.
Me një trend të tillë, shprehet ai, LDK është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK, dhe nëse vazhdon të performojë mirë në votat me postë, mund të arrijë 21 mandate.
Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.90% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.03%. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46% të votave të fituara.

