Nuk ka vendimmarrje për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së

Kuvendi i Kosovës i ka hedhur në votim  pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16, 29 tetor dhe 27 nëntor 2020.

Si pikë e parë ka qenë votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Por për këtë projektligj, vetëm 27 deputetë kanë votuar për, dhe rrjedhimisht nuk ka pasur vendimmarrje për shkak të mungesës së kuorumit.

Vendimmarrje nuk ka pasur as për  votimin e propozim-rezolutës nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës,  Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

“Për këtë pikë 55 deputetë kanë marr pjesë në votim 21 vota për dhe 34 kundër dhe asnjë abstenim”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

Kuvendi s’pati kuorum as për  votimin e propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Kuvendi i Kosovës në vazhdimësi është duke u ballafaquar me mungesë të kuorumit.