Nuhiu: Sot në "Paradën e Krenarisë" kanë dalë njerëz të maskuar sepse mund të kenë pasoja nëse dalin hapur në publik

Aktivisti i të drejtave të njeriut, Arbër Nuhiu, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se sot në “Paradën e Krenarisë” të mbajtur në Prishtinë ka pasur njerëz që kanë dalë me maska.

Nuhiu ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se presioni shoqëror i bën njerëzit që të mos kenë guxim të dalin në publik.

“Kam parë sot në paradë njerëz më maska, sepse është pikërisht ai presioni brenda familjes apo shoqëror që i bën njerëzit mos me pasë guximin me dalë në publik sepse secili person e vlerëson situatën e vetë, të familjes, rrethit, shoqërisë, dhe e ka një ide se sa është e mençur me dalë në publik apo jo”, ka thënë Nuhiu.

Ai ka thënë se këta persona mund të kenë pasoja edhe prej familjes së tyre.

Nuhiu ka thënë se ndihet mirë që aktivistja Çerkica Rexhepi ka dalë për të rrëfyer historinë e saj në publik.

Nuhiu nga organizata “Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore” ka thënë se trans-gratë janë personat më të diskriminuar në shoqëri.

“Personat transgjinorë kanë nevojë për përkrahje në përgjithësi. Sidomos trans-gratë janë personat më të diskriminuar dhe sidomos nëse një trans-grua i takon një komuniteti etnik joshumicë si rasti i Çerkicës që është ndoshta diskriminim është më shumë se trefish”, ka thënë Nuhiu.

Sot në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë”.

Qytetarë, aktivistë, deputetë të Kosovës e ambasadorë të vendeve të huaja kanë bërë thirrje që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen për orientimin e tyre seksual.

Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.