Arbër Nuhiu: Kodi Civil nuk e rregullon martesën

Arbër Nuhiu nga organizata CSGD, ka komentuar faktin që sistemi elektronik i votimit në Kuvend nuk punon.

Ai madje ka ironizuar me këtë çështje, duke e ndërlidhur edhe me faktin që deputetët s’po mund ta kalojë Kodin Civil.

“Nëse sistem elektronik nuk është rregulluar që dy vjet, si të rregullohet çështja e martesës. Kjo çështje duhet të rregullohet fillimisht në Kod Civil dhe të gjithë të kenë këtë të drejt. Ky Kod fillimisht nuk rregullon asgjë, as për këtë s’po di çka me thanë. Pse po diskutojmë për një Kod i cili nuk do të rregulloj asgjë?”, ka thënë Nuhiu në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se sipas Kushtetutës, martesa do të rregullohet me ligj, e ky ligj është Kodi Civil.

“Ky ligj është pra Kodi Civil. Sipas Kushtetutës, ky libër(Kodi Civil), do të rregulloj të gjitha marrëdhëniet familjare, fejesa martesa, për të gjithë, duke mos diskriminuar askënd, duke përfshirë edhe orientimin seksual. Unë pres që martesa të rregullohet me Kod Civil. Po du me u bazu në atë që deklaratat kanë me qenë konform veprimeve. Po më vjen mirë që zonja Bala po flet për këtë çështje”, ka thënë Nuhiu.

Paradoksale sipas tij është edhe fakti që askund në ligje të Kosovës e as në Kushtetutë nuk përmenden bashkësitë civile, por në draftin e Kodit Civil po.

“Në këtë draft thuhet se bashkësitë civile do të rregullohen me ligj të veçantë. Prap është paradoks legal që kërkund në asnjë pjesë të legjislacionit të Kosovës apo Kushtetutë nuk përmenden bashkësitë civile. Pra po dojmë me rregullu diçka që nuk e dimë sakt se ça është si term juridik pra është pak si në ajër”, thotë Nuhiu

Në kuadër të “Javës së Krenarisë” është zhvilluar diskutim mbi Kodin Civil, i cili ka sjellë vëmendjen tek martesa e personave të seksit të njëjtë.

Në këtë panel të udhëhequr nga gazetarja Jeta Xhara, kanë qenë të pranishëm, Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Nazlije Balaj nga Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Arbër Nuhiu, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD).