Ilustrim polici i kosoves ne banjske

Ilustrim

Njësia Speciale Intervenuese paralajmëron protestë të mërkurën, këto janë kërkesat e tyre

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protestë lidhur me paknaqësitë për pagesat e shtesave si dhe rrezikshmërinë në vendin e punës.

KALLXO.com mëson se kërkesat e NJSI-së përfshijnë rritje të pagës në koeficient; rrezikshmëria të jetë e përcaktuar në përqindje e jo në shumë fikse; Ligji i pensionimit të parakohshëm dhe sigurimeve shëndetësore dhe kushtet e punës në përgjithësi.

Burime brenda kësaj njësie kanë thënë se pakënaqësitë janë të mëdha, përderisa shtojnë se nuk mund të pranojnë që me pagë të trajtohen njëjtë si njësitet tjera sepse sipas tyre, sipas procedurave standarde të operimit janë njësi e veçantë si për nga trajnimet po edhe nga detyrat.

“Pakënaqësitë janë të mëdha. Sepse në të kaluarën pagesa e rrezikshmërisë për NJSI ka qenë 215€, ndërsa tani është 150€. Përpos kësaj NJSI që nga viti 2010 ka pasë një shtesë të veçantë në pagë si njësi elite e cila ka qenë 100€, ndërsa tani me ligjin për paga është hequr dhe nuk na paguhet kjo shtesë që nga hyrja në fuqi e ligjit”- thotë ky burim për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në këtë propozim përfshihet gjithsej shtatë kategori të policëve që janë subjekt i shtesave të rrezikshmërisë.

Ai ka njoftuar për secilën kategori sa do të jenë shtesat.

“Shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë, 120 për njësitë operative K9 dhe Njësia për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njeherit përbejnë numrin me të madh të Policisë do të marrin ka 60 euro shtesë kurse Policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”- ka bërë të ditur Kurti.

Ai ka njoftuar se shtesat do të fillojnë nga muaji nëntor.