Njëri nga të prekurit me coronavirus, dje ishte vendosur në karantinë

Njëri nga të prekurit me coronavirus i konfirmuar nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, kishte ardhur gjatë ditës së djeshme nga Gjermania dhe është vendosur në Qendrën e Studentëve e cila me vendimin e Qeverisë së Kosovës po funksionon si karantinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

“Po mund të ju konfirmoj se rasti i cili ka dalë sot pozitiv është njëri nga rastet që është pranuar dje në karantinë pasi që i njëjti kishte ardhur nga Gjermania. Fillimisht pasi ishte vendosur në dhomën e izolimit i njëjti ka njoftuar se ka temperaturë dhe me autoambulancë është dërguar për tu kontrolluar dhe i janë marrë mostrat për analiza ndërsa sot i njëjti u konfimua se është me coronavirus”, tha Zëvendësministri Sadiku.

I njëjti bëri apel për të gjithë qytetarët që të mos kundërshtojnë vendosjen në karantinë nëse kanë ardhur nga shtetet e jashtme.

“Këtu mund të vërejmë se sa e rëndësishme është karantinimi. Personi që doli pozitiv sot ka ardhur dje nga Gjermania dhe është dërguar në karantinë e cila gjendet te Qendra e Studentëve. Ne vetëm dje kemi dërguar në karantinë një numër të madh të qytetarëve që kanë ardhur nga vendet e jashtme. Në rast se ky person fillimisht do të ishte dërguar në shtëpi e jo në izolim atëherë mund ta mendoni rrezikun e gjithë familja e tij ka mujt me kanë e rrezikume nga infektimi”, tha tutje Sadiku.

Deri sot që nga 13 marsi, 28 raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19.

Një sërë vendimet janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës, për të parandaluar pandeminë. Sipas institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë personat që bien ndesh me vendimet e qeverisë do të ndiqen penalisht.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë.