Gjykimi i të akuzuarve për vrasje të rënd në Gjilan.

Dëshmitari rrëfen në gjykimin e të akuzuarve për vrasjen e kushëririt të tyre

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë sot në Gjykatën e Gjilanit nën masa të rrepta të sigurisë.

Në seancë u dëgjua dëshmitari Emin Ismajli, i cili tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

“Para ditës kritike raportet tona me dy familjet edhe atë të akuzuarve edhe familja e të ndjerit kurrë nuk kanë pasur probleme. Problemi ka nisur për një pasuri e cila ka qenë pronë e një serbi. Familja e të ndjerit e kanë shfrytëzuar atë pronë vetëm për të kaluar. Unë ditën kritike pasi jam thirur nga familjarët e tani viktimës kam dalur në vendin e ngjarjes për të ndërmjetësuar por Sameti nuk më ka pranuar dhe më ka shtyrë fizikisht dhe kam qenë duke u rrëzuar”, tha dëshmitari Ismajli.

Tutje ai tha se të akuzuarit i kanë marrë drunjtë të cilët kishin qenë në tokë.

“Unë ju thash lëshoni drunjtë që  të mos bëhet më e madhe por ata nuk i lëshuan, të gjithë të akuzuarit që janë këtu kanë pasur drunj në dorë. Nga familja e të ndjerit askush nuk ka pasur mjet të fortë në dorë. I pari e ka goditur në kokë të ndjerin Sameti, pas tij Fisniku gjithashtu në kokë. Pas goditjeve qe i ka marrë i ndjeri Muhamet ka rënë në tokë dhe në rënie e sipër e ka goditur edhe Besmiri me shkop gjithashtu në kokë. Pas kësaj unë ja kam kapur kokën në dorë të ndjerit pasi filloi t’i rrjedh gjaku dhe i humbi vetëdija”, tha tutje dëshmitari Ismajli.

Seanca vazhdoi deri në përfundim të orarit të punës me dëgjimin e dëshmitarit Emin Ismajli, për të vazhduar me dëshmitarë të tjerë më 3 nëntor.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Sërish dalin para gjykatësit të akuzuarit për vrasjen e kushëririt të tyre