Seanca ndaj ish-zyrtarëve të ASHNA-s, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të ASHNA-s, Lorik Fejzullahu jep dëshminë e tij

Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, që të dy zyrtarë të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, janë ulur edhe një herë në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me akuzat e prokurorisë.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se i kanë mundësuar fitimin e tenderit një kompanie. Sipas Prokurorisë, kontrata ishte nënshkruar më 06.11.2011, duke e ditur se kontrata për “rilokimin e sistemit ekzistues” ka qenë pjesë e kontratës të datës 12.09.2010.

Në këtë gjykim, të hënën më 18.03.2024, dëshminë e tij e dha Lorik Fejzullahu, i cili në kohën për të cilën Nuredini dhe Mehaj akuzohen, ka qenë sekretar i njësisë për partneritet publiko-privat në Komitetin Drejtues Ndërministror.

Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit Vesel Ismaili, se “a kishte përfituar dikush nga zhvendosja e radarit”, i njëjti tha se nuk “beson që të ketë përfituar kundërligjshëm dikush ose të jetë dëmtuar ndonjë palë”.

“Në bazë të eksperiencës bukur të gjatë nuk besoj që ka pas ndonjë dëm të shkaktuar ndonjë pale apo përfitim për ndonjë palë”- tha Fejzullahu.

Fejzullahu duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Milot Krasniqi lidhur me zhvendosjen e pajisjeve nëse ishte e paraparë me marrëveshjen bazë të koncesionit për kompaninë “Limak”, tha se nuk e dinte nëse pas vendimit të KDNM-s ky detyrim kishte kaluar nga Limak në ASHNA.

“Nuk e di që ka kalu prej Aeroportit zhvendosja e pajisjeve të cilat kanë qenë të vendosura në aeroport për momentin, çka e di është… nga Limak është vendosur që të mbahet në punë një numër i konsideruar i punëtorëve, tash numri i saktë nuk më kujtohet. E di që në atë kohë është bërë një vlerësim i asaj kostoje dhe e di që ata punëtorë kanë mbetur, punëtorët që nuk kanë qenë të përfshirë në kontratën bazë”- tha tutje dëshmitari.

Fejzullahu më të filluar dhënien e dëshmisë tha se i njeh të akuzuarit për shkak të raportit kolegial që kishin pasur në ASHNA.

Dëshmitari tha se qëndron në tërësi prapa deklaratës që kishte dhënë në polici më 06.10.2021 ndonëse nuk i kujtohej se çka kishte deklaruar.

Seanca e sotme u ndërpre nga gjyqtari Kujtim Krasniqi për të vazhduar më 15.04.2024,  pasi që në listë të prokurorisë për të dhënë dëshminë ishin të paraparë edhe dy dëshmitarë të tjerë të cilët nuk ishin prezent në sallë.

Lidhur me këtë rast dëshmi kishte dhënë ish-kryetari i bordit të drejtorëve të Aeroportit “Adem Jashari”, Bekim Jashari dhe ish-anëtarja e bordit, Dhurata Hoxha.

Në muajin maj – 2022, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Bahri Nuredinit në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) dhe Driton Mehajt në cilësinë e menaxherit të kontratës për furnizim me sisteme të navigacionit dhe rilokim të sistemeve ekzistuese në ASHNA.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë tenderin në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë, kontrata është nënshkruar më 06.11.2011, duke e ditur se kontrata për “rilokimin e sistemit ekzistues” ka qenë pjesë e kontratës të datës 12.09.2010.

Kontrata e re ishte lidhur mes komisionit drejtues ndërministror të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat dhe kompanisë “Limak Kosova International Aeroport”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e kishin futur rilokimin e sistemit ekzistues në tenderin e ri anipse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “Limak” në kontratën bazë.

Sipas aktakuzës, gjatë zbatimit të këtij projekti nuk janë ndërmarrë veprimet për shkëputje të kontratës ashtu siç parashihet me ligj për shkak të shkeljeve të kryera nga operatori ekonomik “TCN International” pasi që në mënyrë të kundërligjshme kanë bërë zgjatjen e afatit të kontratës nga 532 ditë në 1700 ditë.

Edhe pas zgjatjes së këtij afati, sipas Prokurorisë, kontrata nuk ishte përmbushur, duke u shkëputur në mënyrë të njëanshme nga “TCN International”, marrë për bazë që deri më 19.09.2016 ishin paguar 97% të mjeteve financiare.

Kurse për punët e papërfunduara nga kjo kompani, gjithnjë sipas aktakuzës, ASHNA kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik nga Italia “Leonardo” me titullin “Rilakemi dhe azhurnimi” në vlerë 386 mijë euro.

Me këtë, sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit 2022.

Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar” në lidhje me keqpërdorimet.

Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit nga kompania “Limak”, i dyti për sigurinë e këtij Aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty. Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i kompanisë “Limak” për t’iu përgjigjur akuzave.

Artikujt e tjerë në lidhje me këtë rast i gjeni në këtë LINK.