Një vajzë nga Kosova në mesin e të plagosurve nga sulmi në një shkollë të Finlandës

Një vajzë nga Kosova është njëra prej fëmijëve të plagosur nga një gjuajtje me armë që ka ndodhur sot, më 02.04.2024 në një shkollë në Finlandë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) e Kosovës thotë se Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me familjen e vajzës së plagosur dhe ka ofruar ndihmën e saj sipas udhëzimeve të pranuara nga MPJD.

“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta/Finlandë, respektivisht shkollën ‘Viertola’, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

MPJD thotë se sapo të pranojë dhe konfirmojë informacione të reja, do t’i ndajë ato me publikun.

Një fëmijë ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë, sipas raportimit të BBC.

Policia ka thënë se tri viktimat dhe i dyshuari janë të moshës 12 vjeçare. I dyshuari kishte ikur por më vonë ishte ndaluar.