Ilustrim
Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për kërcënimin e Ramush Haradinajt dhe familjes së tij
Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të dyshuarit K.B. për kanosje të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe familjes së tij.
Këtë për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Agnesa Zeqiraj.
Ajo ka thënë se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit është bërë më datë 04.04.2026.
“Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për personat me çrregullime mendore është paraqitur nga Prokuroria më datën 04.04.2026”, thuhet në përgjigje.
Seanca dëgjimore për këtë rast është mbajtur një ditë më pas, më 05.04.2026, dhe po në të njëjtën ditë Gjykata ka marrë vendim me të cilin i ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit.
Sipas vendimit të Gjykatës, i dyshuari do ta vuajë paraburgimin në repartin e psikiatrisë, nga data 03.04.2026 deri më 02.05.2026.
Arrestimi i të dyshuarit erdhi pasi në publik u shpërndanë disa video, ku ai dëgjohet duke kërcënuar familjen Haradinaj, çka çoi në reagimin e menjëhershëm të organeve të rendit.