Një karrige e zbrazët në Kuvend si dedikim për fëmijët e vrarë gjatë luftës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kryesia në mbledhjen e sotme unamisht ka miratuar propozimin e saj për lënien e një ulëse të zbrazët në sallën e Kuvendit si dedikim për fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kryesia po ashtu ka miratuar unanimisht edhe propozimin tim të seancës solemne që ka të bëjë me lënien e një karrige në qendër të Kuvendit të zbrazët dedikuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës. Pastaj në konsultim edhe me ekspertë të kësaj fushe dhe me familjet e shoqërinë civile do të vendosim lidhur me dizajnin” theksoi Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani në seancën solemne me rastin e 12 Qershorit –Ditës së Çlirimit të Kosovës, u ka propozuar deputetëve që një ulëse në Kuvend t’u rezervohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, në nderim të tyre.

Osmani pati thënë se Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë e të masakruar në raport me numrin e banorëve krahasuar me të gjitha luftërat tjera në territorin e ish-Jugosllavisë.

“Dua sot që ta kthejmë vëmendjen veçanërisht kah këta 1,133 fëmijë, shumë prej tyre foshnje vetëm disa javëshe”, ishte shprehur ajo.