Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Kryeparlamentarja propozon që një ulëse në Kuvend t’u rezervohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne me rastin e 12 Qershorit –Ditës së Çlirimit të Kosovës, u ka propozuar deputetëve që një ulëse në Kuvend t’u rezervohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, në nderim të tyre.

Osmani tha se Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë e të masakruar në raport me numrin e banorëve krahasuar me të gjitha luftërat tjera në territorin e ish-Jugosllavisë.

“Dua sot që ta kthejmë vëmendjen veçanërisht kah këta 1,133 fëmijë, shumë prej tyre foshnje vetëm disa javëshe”, tha ajo.

“Për ta jetësuar këtë kujtim, do t’i propozoj Kuvendit që me mirëkuptim të deputetëve dhe në përputhje me procedurat, njërën nga ulëset në qendër të sallës, ta mbajmë të rezervuar si dedikim fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi, të cilëve lufta ua këputi jetën ende pa e nisur mirë. Ndonjëri prej tyre sot do të mund të ishte deputet, sepse ishte në moshën e shumë prej neve”, shtoi ajo.

Osmani theksoi se sot duhet qenë unik në idenë për paqe të qëndrueshme “duke mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë me çdo pëllëmbë të territorit të tij”.

“Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë, sepse e kemi përjetuar për shekuj të tërë mungesën e saj. Por po kështu ne mund të dëshmojmë se sa e madhe është vlera e saj dhe i rëndë çmimi që kemi paguar. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në ballkan”, tha mes tjerash Osmani në fjalimin e saj.