Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE

Nis takimi Kurti - Vuçiq, Borrell flet për pritjet e tij

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka ndarë fotografi nga takimi i sotëm me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se pret ‘një qasje konstruktive nga të dy palët’.

“I urova mirëseardhjen presidentit Aleksandar Vuçiq  dhe kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut Beograd – Prishtinë. Në rendin e ditës: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dy palët”-, ka shkruar Borrell në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë nisur takimin e nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në takim pritet të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre.

“Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm’ deklaroi Lajçak.