Foto: KALLXO.com

Nis takimi i presidentes Osmani me kryeministrin Edi Rama - Pamje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Takimi është i mbyllur për media, ndërkaq nuk është paralajmëruar konferencë për media.

Rama më pas do të pritet në takim nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Takimi me Konjufcën është paraparë të mbahet në ora 17:15.

Kryeministri shqiptar sot ka nisur një tur ballkanik i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor.

Nga Shkupi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se ende shpreson që sot pasdite do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Rama para gazetarëve u shpreh se shpreson që Kurti nuk e ka harruar kanunin, pasi siç tha kryeministri shqiptar “ kur të vie në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera”.

“Në Kosovë kur të shkoj unë, kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën”- tha Rama.

Mirëpo, kryeministri Kurti në një konferencë për media të mërkurën ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Rama: Shpresoj që Albini nuk e ka harruar kanunin, kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera