Rama: Shpresoj që Albini nuk e ka harruar kanunin, kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se ende shpreson që sot pasdite do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Rama para gazetarëve u shpreh se shpreson që Kurti nuk e ka harruar kanunin, pasi siç tha kryeministri shqiptar “ kur të vie në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera”.

“Në Kosovë kur të shkoj unë, kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën”- tha Rama.

Kryeministri shqiptar sot ka nisur një tur ballkanik i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor. Ai ka konfirmuar se do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Edi Rama sot në Kosovë, në pritje të konfirmimit për takim me Kurtin

Mirëpo, kryeministri Kurti në një konferencë për media të mërkurën ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në qytetin e Gjakovës ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje” – ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se për këtë mbledhje u patën bërë të gjitha përgatitjet dhe se 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, e të cilat marrëveshje tashmë kanë ngelur në sirtar.

“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtarë, sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat përfitojnë qytetarët dhe çdo ditë e humbur pa i nënshkruar këto marrëveshje është dëm për qytetarët” – tha ai.

Ndër të tjera ai tha se i ka propozuar Ramës që meqë po vjen në këtë javë të mbajnë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive t’i nënshkruajnë marrëveshjet e planifikuara.

Sot Rama ka njoftuar se i janë dërguar Kosovës 13 marrëveshje të nënshkruara nga pala shqiptare, marrëveshje që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhje të qeverive.

Më 13 qershor, kryeministri Rama kishte thënë se kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës një takim, por në një format më të ngushtë duke përfshirë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes.

“E kam njoftuar Kryeministrin Kurti. Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, pasi kam folur me Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me Bashkësinë Euroatlantike”- tha ai.

Kryeministri Rama deklaroi se nuk ka pasur një pajtim nga Kurti për ndryshimin e formatit të takimit.

Ai tha se shpreson që kjo të mos jetë përgjigja përfundimtare e kryeministrit Kurti.

Më 7 mars, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kanë konfirmuar se në kuadër të Procesit të Berlinit, takimi i radhës do të mbahet më 16 tetor të këtij viti.

Kancelari Scholz në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha që për herë të parë punimet e këtij Samiti do të mbahen në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.

Edi Rama sot në Kosovë, në pritje të konfirmimit për takim me Kurtin