Nis seanca gjyqësore ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pak më parë është paraqitur në gjykatë, për t’u përballur me një akuzë të ngritur ndaj tij, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Aliun, në gjykatë kanë arritur edhe të akuzuarit tjerë të rastit Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Mimoza Berisha Prestreshi dhe Zejnulla Rexhepi, ndërsa për arsye shëndetësore në seancë nuk është paraqitur Bahtie Uka.

Prokuroria ka pati njoftuar se çfarë akuzohen ministri i tanishëm dhe zyrtarët tjerë.

“Prokurori i Shtetit, me datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (me datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, Liburn Aliu në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com kaishte thënë se për herë të parë po dëgjon për këtë gjë.

“Nuk  e di. Jo [s’jam në dijeni]. Për herë të parë po e nij”, kishte thënë shkurt Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

https://kallxo.com/lajm/aktakuza-ndaj-ministrit-aliu-psd-me-aksion-para-qeverise/