Prokuroria e Prishtinës: Ka aktakuzë ndaj Liburn Aliut

Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate është deklaruar në lidhje me aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Prokuroria ka bërë të ditur se më 23 prill të vitit 2018 ka pranuar kallëzim penal ndaj personave me inicialet: L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokurori i Shtetit,  me datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’ rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (me datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria i ka mohuar pretendimet e ministrit Aliu se ai nuk është pajisur me aktakuzën e ngritur ndaj tij.

“Pretendimet se i pandehuri L.A, nuk është pajisur me Aktakuzë nga ana e Prokurorisë, nuk qëndrojnë, sepse nëse i referohemi Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Aktakuza i paraqitet gjykatës kompetente në aq kopje sa ka të pandehur dhe mbrojtës të tyre dhe një kopje shtesë për gjykatën”, thekson Prokuroria.

“Gjithashtu, gjykatës i dërgohet edhe lënda komplete e hetimit nga prokurori i shtetit, nga neni 242, paragrafi 1 i KPP-së. Në momentin kur aktakuza dërgohet në gjykatë, e njëjta obligohet t’i pajisë palët në procedurë me aktakuzë. Gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues i jep kopjen e aktakuzës të pandehurit apo të pandehurve, nëse ata nuk i kanë pranuar këto kopje të aktakuzës  më parë, neni 245, paragrafi 2 i KPP-së, çka d.m.th. se me Aktakuzë palët i pajisë Gjykata kompetente”, thuhet në njoftim.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu i cili është ministër i ri i zgjedhur në Qeverinë Kurti 2, do të përballet në gjykatë me një akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com ka marrë vesh se në një rast me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Aliu ka reaguar pas lajmeve se ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se për këtë akuzë për herë të parë ka dëgjuar sot nga mediat.

“Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi” ka shkruar Aliu.

Liburn Aliu: Nuk jam në dijeni për aktakuzë ndaj meje