Foto: Komuna e Prishtinës

Nga sot në Prishtinë biletat e autobusëve me Trafikun Urban mund të blihen me SMS

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka bërë të ditur se nga sot në Prishtinë biletat e autobusëve të Trafikut Urban mund të blihen me SMS.

Sipas njoftimit, qytetarët mund të blejnë biletën një drejtimëshe dhe biletën ditore në linjat 1, 3, 3B, 3C, 4 dhe 7C si dhe biletën për vajtje ardhje në aeroport, duke dërguar SMS përmes operatorëve IPKO dhe Vala.

Numrat për blerjen e biletave janë: 55990 për biletën një drejtim; 55991 për biletën ditore; 55992 për biletën për aeroport.

“Shumë e lumtur të ndaj me ju lajmin se e kemi arritë një tjetër synim drejt digjitalizimit të shërbimeve për qytetarë. Bashkë me Burimin, Ilirikun dhe Gentin, vendosëm një hap para në reformën e transportit publik. Ky është vetëm fillimi” – ka shkruar nënkryetarja e Prishtinës.

Ajo ka paralajmëruar se shumë shpejtë qytetarët do të kenë mundësinë të blejnë bileta javore dhe mujore.