Nesër protestohet në Ferizaj për rastin e vdekjes së 18 vjeçares

Disa organizata të shoqërisë civile do të protestojnë nesër Ferizaj nën moton ‘Drejtësi për gratë’ pas vdekjes së 18 vjeçares.

Organizatat, Art Polis dhe Kuvendi i të rinjve të Ferizajt do të protestojnë nesër në ora 12 para stacionit të Policisë në Ferizaj.

Në njoftimin në Facebook, janë bërë të ditura edhe 4 kërkesat e kësaj proteste.

“Adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit për të cilën votuan të gjithë deputetët tanë, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat, trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, nisja do të bëhet nga Prishtina në orën 10:30, nga parkingut përballë RTV 21.

Transporti Prishtinë-Ferizaj dhe anasjelltas do të sigurohet për të gjithë të interesuarat/it, të cilët duhet të shkruajnë në faqe të Facebook-ut të organizatave.

Dje në emergjencën e spitalit është sjellë pa shenja jete një vajzë e moshës 18 vjeçare.

Dy persona të dyshuar, pasi kanë sjellë në spital viktimën, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashar tha sot përmes një konference për media se shumë shpejt pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.

Nga Prokuroria kanë deklaruar se dyshuari i arrestuar tashmë A.S., ka një aktakuzë aktive të vitit 2013 për tentim vrasje.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që quan në vrasjen e tashmë të ndjerës, 18-vjeçare M.O.

Një natë më parë, dhuna kishte filluar ndaj viktimës. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim.

Dosja e prokurorisë së 18 vjeçares thotë tutje se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.

Sipas prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.S. por i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim.

Dosja e Prokurorisë: 18-vjeçarja u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje