Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nesër ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

Sipas njoftimit, zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Mëngjesin e sotëm, si shkak i situatës, presidentja Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit