Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Nën dyshimin për shkelje disiplinore, suspendohet një zyrtar policor

Policia e Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor nën dyshimin se ka kryer shkelje disiplinore në një rast të një videoje të shpërndarë gjatë arrestimit të një të dyshuari.

“Në një rast të fundit, ku është shpërndarë një video e një të dyshuari të arrestuar, nën dyshimin se ka shkelje disiplinore në këtë rast nga një zyrtar policor, duke u bazuar në udhëzimin përkatës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, ka filluar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari policor, i cili me vendim të drejtorit rajonal është suspenduar. Ky rast do të trajtohet bazuar në procedurat policore dhe po ashtu është proceduar për hetim dhe kompetencë të mëtejme në IPK”- thuhet në njoftimin e policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se kanë pranuar informacione  lidhur me dyshimin se një zyrtar policor ( i Njësisë së Reagimit të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Policore – Mitrovicë e Jugut) është i dyshuar për fotografim apo incizim i paautorizuar.

“Hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse si pjesë e procedurave administrative, krahas hetimit që po zhvillohet zyrtari policor është suspenduar”- thuhet në njoftim të IPK-së.

Policia thekson se në disa raste të veçuara nga zyrtarë policorë, mund të bëhen shkelje të parimeve dhe procedurave policore duke bërë që të ketë shkelje disiplinore.

“Mekanizmi i brendshëm i Policisë së Kosovës çdo herë kur ka dyshime se janë kryer shkelje të tilla, fillojnë procedurat hetimore dhe procedurat e vendimet disiplinore”- thuhet më tej në njoftim.

Tutje, në njoftim policia potencon se do të vazhdojë të jetë në krye të realizimit të detyrave në ruajtje të rendit e qetësisë publike, ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, vënien para drejtësisë të të gjithë të dyshuarve dhe këto do t’i arrijë me profesionalizëm dhe integritet.