Ilustrim
Në tremujorin e parë të sivjetëm prodhimet blegtorale u shtrenjtuan
Në tremujorin e parë të sivjetëm prodhimet blegtorale u shtrenjtuan për 2.59 përqind ndërsa ato bujqësore patën rënie çmimesh për 7.76 përqind.
Në peridhën janar-mars 2020, pati rritje çmimesh në blegtori ndërsa rënie në ato bimore.
“Në tremujorin e parë të vitit 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.59%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (- 7.76%)“, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave.
Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 0.13%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në tregje, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Sipas ASK-së, prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula.
Tutje thuhet se këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e indeksit “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e parë.