Kuvendi mbyll punimet për sot, shtyhet debati për Raportin e Komisionit Europian

Në mungesë të kuorumit për të vazhduar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e seancës së sotme.

Tri marrëveshje ndërkombëtare u shtynë për një ditë tjetër pasi në sallë nuk ishin më shumë se 80 deputetë, aq sa nevojitën për votimin e tyre.

Për një ditë tjetër u shty edhe debati në lidhje me Raportin e Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, për këtë çështje tha se “nuk ka disponim të mbahet sonte”.

“Sa i përket çështjes së debatit po e shoh që nuk ka disponim që të mbahet sonte por që të mbahet në seancën e re, në orët e paradites kurdo që e caktojmë. Mund ta caktojmë edhe një vazhdim për pikat e mbetura, e caktojmë ose me Kryesi ose me konsultimin me nënkryetarët. Kaq ishin punimet e seancës së sotme”- tha ai.

Sot gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendën e legjislativit për muaj me radhë.

Miratimi u tyre u bë i mundshëm me pjesëmarrjen në votim të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim pasi, sipas tyre, Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian.

Me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashihen investime deri në 300 milionë euro.

Arrihet konsensusi, Kuvendi miraton marrëveshjet ndërkombëtare

www.kallxo.com