Raporti i Komisonit Europian për mungesën e deputetëve: Kuvendi i Kosovës të merr masa ndëshkuese

Raporti i Komisionit Europian për Kosovën, për vitin 2023, ka kritika për punën e Kuvendit të Kosovës, e cila vazhdon të pengohet nga mungesa e kuorumit dhe përpjekjet për konsensus ndërpartiak.

Në raport thuhet se ky institucion nuk ka mundur të miratojë ligje dhe të bëjë emërime për periudha të gjata kohore.

“Kuvendi duhet të prezantojë masa dhe/ose ndëshkime për t’u siguruar që mund të kryejë rolin e tij. Për këtë qëllim, do të duhet gjithashtu të përmirësojë menaxhimin e brendshëm, të miratojë një plan vjetor pune dhe të prezantojë një sistem votimi elektronik dhe sistemin elektronik të regjistrimit të pjesëmarrjes”- theksohet në raport.

Ndërsa thuhet se mungesat e deputetëve janë bërë praktikë e zakonshme e parlamentit.

“Mungesa, ardhja me vonesë dhe largimi i hershëm nga seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve janë bërë praktikë e zakonshme. Rregullores së re të Punës i mungojnë masat për vendosjen e gjobave financiare (ose të tjera) për mungesë të pajustifikuar në seancat parlamentare”.

Po ashtu, është theksuar se bojkoti nga deputetët e Listës Serbe e bëri të pamundur miratimin e ligjeve në kategorinë e legjislacionit jetik.

Ndërsa, tutje thuhet se debati politik duhet të drejtohet drejt diskutimeve thelbësore që çojnë në rezultate konsensuale dhe të qëndrueshme.

“Diskutimet mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës në Kuvend ishin të polarizuara dhe herë pas here të tensionuara. Disa deputetë përdorën gjuhë nxitëse kundër kundërshtarëve politikë, duke përfshirë stereotipizimi dhe gjuha gjinore jo e përshtatshme”- thuhet në raport.

Raporti ka vënë në pah edhe grumbullimin e pikave të rendit të ditës të cilat sipas raportit janë zvarritur për muaj të terë duke shkaktuar vonesa në miratimin e reformave të lidhura me BE-në.

Raporti për Kosovën kërkon nga Kuvendi të forcojë funksionin e tij mbikëqyrës të ekzekutivit dhe të institucioneve të pavarura.

Në raport thuhet se rregullorja e re e punës përfshin procedura të avancuara të raportimit për trajtimin e raporteve vjetore të institucioneve të pavarura, por kjo nuk ka rezultuar në shqyrtimin me kohë të këtyre raporteve.

“Shumica e raporteve vjetore 2021 të institucioneve të pavarura janë shqyrtuar në muajt e parë të sesionit të pranverës 2023 dhe shpesh pa debat thelbësor”- theksohet në raport.

Gjatë periudhës raportuese, Kuvendi miratoi 104 ligje, nga të cilat 25 janë ratifikime të marrëveshjeve ndërkombëtare.