Foto: KALLXO.com

Në Mitrovicë nis ndërtimi i bibliotekës “Latif Berisha”, punimet pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2025

Në Mitrovicë sot kanë filluar punimet për ndërtimin e bibliotekës “Latif Berisha”.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve, drejtoresha e Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport e Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, tha se kjo është një ditë historike. 

“Ky projekt nuk ka qenë një nevojë, ka qenë domosdoshmëri e kohës. Pse po them historike sepse biblioteka e qytetit nuk ka pasur asnjëherë shtëpi të vet, nuk ka pasur asnjëherë objekt të përhershëm” – tha drejtoresha. 

Ajo shtoi se lexuesit dhe studiuesit janë dekurajuar viteve të fundit sepse kanë qenë konfuzë për shkak të ndërrimit të vendeve. 

“Fillimisht ka qenë në ndërtesën e ‘Luksit’, më pas ka qenë në ndërtesën e ‘Bankosit’, viteve të fundit, afërsisht katër vite ka shku në ndërtesën multifunksionale ‘Omni Sport’. Jo vetëm që ka shkaktu konfuzion por nuk i ka pasë as kushtet minimale për të qenë bibliotekë e qytetit me të gjitha standardet me të cilat duhet të jetë” – tha ajo.

Sipas drejtoreshës  për këtë projekt janë ndarë afro 700 mijë euro dhe financimi është nga Komuna e Mitrovicës Jugore. 

Ndërsa Bedri Hamza, kryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore, tha se punimet për ndërtimin e bibliotekës “Latif Berisha” pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2025.

“Me fillu sot, me përfundu unë pres që gjithçka të zhvillohet me dinamikën e duhur në përputhje me kontratën. Ka mundësi me u zhvillu edhe ma herët se kontrata për shkak se nuk ka asnjë pengesë. Janë kry të gjitha procedurat edhe sa i përket lejeve dhe të gjitha të tjerave dhe nuk ka asnjë vështirësi. Sa i përket konstruksionit financiar është i siguruar dhe unë pres që ky objekt të kryhet në fillim të vitit 2025” – theksoi kryetari.

Ai theksoi prioritetin që sipas tij ka ndërtimi i kësaj biblioteke. 

“Është nder, është kënaqësi, është përgjegjësi që sot jam këtu bashkë me juve në fillimin e ndërtimit të një prej objekteve, për mua ndër më të rëndësishmet në mandatin tim qeverisës. Çdo para e shpenzuar, në arsim, kulturë, në sport nuk është shpenzim por është investimi më i duhur” – theksoi  kryetari.

Ndërsa Isak Shema, profesor i shkencave filologjike, përkujtoi mikun e tij të afërt, profesor Latif Berishën, emrin e të cilit e mban kjo bibliotekë.

“Latif Berisha ka merita të jashtëzakonshme në fushën e arsimit, kulturës, dhe të shkencës. Ka filluar punën arsimore qysh herët. Ai ka qenë figura qendrore e Universitetit të Prishtinës. Botimet e tij, vepra e tij, janë në funksion të veprimatrisë shkencore kudo ku kemi të bëjmë me albanologjinë” – përfundoi Shema.

Vendi ku do të ndërtohet biblioteka është në mes të Muzeut të Qytetit dhe Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko”.

 

Foto: KALLXO.com