Çka pritet nga konkursi për rekrutimin e drejtorëve të shkollave në Prishtinë?

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për konkursin e rekrutimit të drejtorëve të shkollave në kryeqytet.

Musmurati ka treguar se për herë të parë në këtë proces të rekrutimit është angazhuar edhe Ambasada britanike për të ndihmuar.

Ky angazhim i Ambasadës ka ardhur për shkak të problemeve që ka pasur Prishtina në rekrutimin e drejtorëve në të kaluarën.

“Ne kemi një udhëzin të ri administrativ, i cili nëse nuk gaboj është miratu në vitin 2020 që goxha shumë e detajon peocedurën se çka duhet të ketë, çka nuk duhet të ketë një kandidat për drejtor” – tregon Musmurati.

Ajo thotë se ky udhëzim administrativ përcakton ligjërisht kushtet për t’u bërë një person drejtor i një shkollë, mirëpo Musmurati thotë se çka do donte të shihte ajo është një drejtor që ka ambicie për të rregulluar një X shkolle të caktuar.

Ajo thotë se drejtori apo drejtoresha në një shkollë janë personat kyç që e menaxhojnë atë vend, prandaj ajo tha se dëshiron që të ketë persona sa më profesional në këto pozita.

Musmurati tregon se deri më tani janë hapur 6 konkurse për shkolla të mesme dhe se shumë shpejt do të hapen edhe 10 konkurse për shkolla fillore.

Drejtoresha përmendi procesin e konkursit të vitit 2021 që ishtë në dy faza, kur Inspektorati i Arsimit kishte lëshuar dy vendime në dy shkallë për anulim të konkursit.

Musmurati tha që Inspektorati ka konstatuar shkelje që kanë qenë vetëm dy anëtarë në komision vlerësues dhe se komisioni nuk është votuar në asamblenë komunale siç parashihet në udhëzim administrativ.

Për konkursin e tanishëm, drejtoresha tregoi se për herë të parë kanë bërë thirrje publike për ekspertë të jashtëm që të jenë pjesë e komisionit, e në këtë komision tashmë janë Egzon Gashi nga organizata “Teach for Kosova” dhe Jehona Gjurgjeala nga organizata “Toka”.

Kjo e fundit tha se e bëjnë poentimin e kandidatëve dhe e dërgojnë më pas te kryetari i Komunës, e më pas kryetari e bën emërimin.

Gjurgjeala tha se kanë punuar me muaj të tërë për të përgatitur këtë konkurs. Sipas saj, kandidatët do e kuptojnë pse është marrë kaq shumë kohë për të përgatitur këtë konkurs kur ta shohin atë, pasi qëllimi është që të jetë një konkurs sa më meritor.

Ajo tha se është publikuar një udhëzues në Prishtina Online që i orienton kandidatët për të aplikuar në këtë konkurs.

Gjurgjeala tha se për të bërë që konkursi të mos mendohet nga kandidatët “si i shitur” janë marrë disa hapa dhe ekzistojnë disa fakte.

“Janë ekspertët e pavarur, njerëzit kanë punu me ‘Teach for Kosova’ edhe ‘Toka’ na njeh komuniteti i mësimdhënësve, kanë qenë britanikët e përfshirë, ka me qenë e hapur për vëzhgues” – thotë ajo.

Tutje, drejtoresha Musmurati tregon se udhëzimi administrativ parasheh që të publikohen pikët për secilin kandidat dhe vlerësimet e secilit për atë kandidat.