Festohen arritjet pesë vjeçare të programit Vullnetarizmi Edukativ të OJQ TOKA

Organizata joqeveritare ‘TOKA’ ka mbajtur konferencën ”5 Vjet Vullnetarizëm Edukativ në Kosovë: Mësime të Nxjerra dhe Vizioni për të Ardhmen” në Prishtinë.

Si organizatë që promovon punën vullnetare përmes programit të saj të quajtur ‘Vullnetarizmi Edukativ’, ka prezantuar të dhënat e saj se ku dhe sa ka pasur ndikim ky program.

Drejtoresha ekzekutive në TOKA, Jehona Gjurgjeala, përderisa ka kujtuar fillimet e TOKA-s, ka falënderuar të gjithë për kontributet e tyre deri më sot.

”Jam shumë e lumtur me qenë e rrethuar me njerëz kaq fantastik, të cilët janë bashkëngjitë dhe vazhdojnë me kontribu jo për TOKA-në, po për komunitetin, shoqninë tonë në një mënyrë pa rezerva edhe në një mënyrë shumë të sinqertë” – është shprehur Gjurgjeala.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se është i frymëzuar nga pasioni dhe përkushtimi i mësimdhënësve dhe studentëve, që punojnë për përmirësimin e komunitetit dhe fuqizimin e të rinjve.

”Është kënaqësi të dëgjosh se në Kosovë vullnetarizmi po gjen hapësirë edhe nëpër shkolla, pra është bërë pjesë e aktiviteteve tona edukative, dhe kjo mendësi po rrënjoset edhe tek gjeneratat e reja, pra qysh në moshën e tyre të hershme” – ka thënë Konjufca përgjatë fjalimit të tij.

Konjufca gjithashtu bëri të ditur se i ka përcjellur disa nga projektet e Vullnetarizmit Edukativ të TOKAs të implementuara në Kosovë, duke i përmendur disa prej tyre, të cilat i kanë lënë shumë përshtypje.

”Ndërsa mësimdhënësit dhe liderët të cilët keni qenë shtyllat kryesore përgjatë këtyre pesë viteve, ua keni mësuar nxënësve edhe shkathtësitë e lidershipit, se si të punojnë nëpër grupe e poashtu edhe si të kenë paraqitje të suksesshme në publik, jam i sigurt që ju tashmë ju jeni një ‘role model’ për ta dhe se kjo përvojë do të lërë gjurmë në formimin e tyre personal dhe profesional” – tha Konjufca.

Duke iu konfirmuar se ai do të vazhdojë ta mbështesë punën e TOKA-së, ka thënë se ndjehet shumë i lumtur ta shoh se Kosova po përfaqësohet me Vullnetarizmin Edukativ edhe në nivelin rajonal.

Dorotea Deshishku, këshilltare politike në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpalosur disa prej programeve që po implementon MKRS për të rinj, dhe ka thënë se konsiderojnë që  vullnetarizmi është një fushë me potencial pafund.

”Bashkë me TOKA-në po punojmë për ta përkthyer programin e Super-Vullnetarëve në program ekstra-kurrikular shkollor, në dy komuna të Kosovës, duke nisur në shtator e pastaj edhe në të ardhmen duke u zgjeruar edhe në komunat tjera” – ka deklaruar Deshishku.

Në anën tjetër, Hatixhe Zeka, menaxhere e programit të Vullnetarizmit Edukativ në TOKA, ka përshkruar përmbajtjen e këtij programi dhe rëndësinë e tij.

”Përfshin të mësuarit edhe shërbimin në komunitet, nuk është veç thjeshtë një punë vullnetare, e cila shkon edhe i ndihmon dikujt ad-hoc, mirëpo gjatë atij procesi ti mëson diçka, fiton shkathtësi, njohuri të reja. Mbi të gjitha të rinjtë nuk janë shërbyes pasivë, po janë shërbyes aktivë të komunitetit që ata i shërbejnë” – ka theksuar Zeka.

Për ta realizuar këtë program përgjatë këtyre pesë viteve ajo ka thënë se janë përfshirë një numër i madh i njerëzve, të rinj 12-17 vjeç, mësimdhënës po ashtu edhe studentë nga fakulteti Edukimit dhe Psikologjisë, si lider të klubeve të SPV.

Nga arritjet e këtij programi janë numëruar rreth 3,000 vullnetar të rinj, 282 liderë, janë formuar 150 klube në komuna të ndryshme të Kosovës dhe janë realizuar më shumë se 200 projekte në komunitet.

Në anën tjetër puna vullnetare e bërë përgjatë projekteve ka regjistruar më shumë se 40,000 orë vullnetare, duke qenë të përfshira rreth 60 shkolla dhe 20 qendra rinore ose organizata rinore.

Zeka ka treguar se këtë vit, së bashku me Gjurgjeala-n kanë zhvilluar një hulumtim për vullnetarizmin në Kosovë, në të cilin e kanë kuptuar se TOKA është organizata e parë në vend për vullnetarizëm afatgjatë, ku 1,000 rinj për çdo vit angazhohen në punë vullnetare prej 6 deri 12 muaj.

TOKA është organizatë që ka filluar aktivitetet që nga viti 2015, dhe deri më sot ka implementuar një numër programesh në edukimin fillor dhe të mesëm në Kosovë për qytetari aktive.