Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK kryhet një operacion i rrallë

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, në QKUK, për herë të parë në Kosovë, është kryer një intervenim i rrallë kirurgjik që ka zgjatur më shumë se 5 orë, tek një pacient i moshës së shtyrë.

Sipas njoftimit, ky operacion është kryer për herë të parë në Kosovë, kur vena e thellë e këmbës përdoret si arterie e barkut, në një terren me enë artificiale të gjakut të infektuara me qelb.

“Pacienti kishte tri vatra të infeksionit -qelbit, përreth enëve artificiale të gjakut, (protezë vaskulare Dacron 8 mm dhe Dacron 7 mm). Këto dy operime pacienti i kishte kryer në Shkup, në vitin 2020”- thuhet në njoftim.

Tutje ShSKUK ka njoftuar se pacienti N.D, 73 vjeç, kishte dhembje, temperaturë dhe tri koleksione të qelbit: e para në pjesën e poshtme të barkut, e dyta në kofshë lartë dhe e treta në pjesën e poshtme të kofshës, të cilat ishin para plasjes, që pastaj mund të shkaktonin një shkallë vdekshmërie shumë të lartë dhe humbjen e këmbës deri në 90%.

“Duke qenë të vetëdijshëm se bëhej fjalë për një rrezik të madh, ekipa mjekësore vendosi që pacienti t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik. Për ta shpëtuar jetën e pacientit, fillimisht u larguan vatrat infektive bashkë me protezat vaskulare të infektuara, që ishte punë shumë e vështirë, sepse ishte hera e katërt që i njëjti pacient operohej në regjionin inguinal (gilca) të djathtë”- thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur se më parë rastet e tilla kanë shkuar për mjekim jashtë vendi.

Tutje QKUK ka njoftuar se pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 15 ditë hospitalizimi, është lëshuar në shtëpi, në gjendje shumë të mirë shëndetësore.