Në klinika me pacientë me COVID-19 hyn e del kush të dojë

Ekipi i KALLXO.com ditë më parë ka vizituar Klinikën e Infektivës, Internos, Pulmologjisë dhe Mjekësinë Sportive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohen pacientët me coronavirus.

Gjatë kësaj “vizite” është kuptuar se në shumicën e klinikave nuk ka kontroll për njerëzit që hynë e dalin.

Në Klinikën Infektive në asnjërën hyrje nuk kishte roje të sigurisë për të penguar familjarët që të hynin brenda. E njëjta situatë ka qenë edhe në Pulmologji.

Ndërsa në Interno dhe Mjekësi Sportive nuk lejohet hyrja te pacientët me COVID-19.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për KALLXO.com pati thënë se nuk lejohen familjarët të hynë te pacientët.

Gazetarja e KALLXO.com ka vizituar edhe spitalet rajonale në vend. As në to nuk kishte roje sigurie te hyrja.