Pamje nga aksioni kur u arrestua Millun Millenkoviq Llune, 13 qershor 2023, Foto:KALLXO.com

Në aktakuzën për sulmin terrorist, prokuroria përmend rezistencën e “Llunes” gjatë arrestimit në veri e në të cilin u lënduan edhe disa policë 

Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj personave tashmë të pandehur dhe të akuzuar për sulmin terrorist të 6 dhjetorit të vitit 2022 ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën veriore përmend edhe rastin kur Millun Millenkoviq i njohur si Llune gjatë kohës sa ishte duke u arrestuar vitin e kaluar kishte rezistuar e me këtë rast ishin lënduar edhe disa zyrtar policor. 

Një trajner kick-boksi por në dokumente të ndryshme shtetërore përmendet edhe si një njeri kyç në dy organizata që u shpallën terroriste nga Qeveria e Kosovës, konkretisht “Brigada e Veriut” e “Mbrojtja Civile” tashmë përvec se po përballet me dyshimet për sulmin ndaj zyrtarëve të KFOR-it për ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan, ndaj të njëjtit është ngritur aktakuzë nga prokurori special Afrim Shefkiu për sulmin terrorist ndaj zyrës së KKZ-së në Mitrovicë veriore, ngjarje kjo e shënuar në dhjetor të vitit 2022. 

Në aktakuzën disa faqeshe të Prokurorit Shefkiu, përmenden në detaje të gjitha veprimet që dyshohen se kanë kryer Llune bashkë edhe me ish- zyrtarin policor Dejan Pantiq dhe dy persona të tjerë. 

Përgjatë provave e dëshmive që ka vendosur në aktakuzë prokurori Shefkiu, ka përmendur edhe rastin e arrestimit të “Llunes” në qershor të vitit të kaluar, ngjarje kjo e cila krijoi një situatë të tensionuar në veri të vendit.

“Me rastin e arrestimit të të pandehurit Milun Milenkoviq rezulton se i njëjti gjatë arrestimit ka rezistuar ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për cka edhe ka rezulatuar me lëndime trupore ndaj policëve dhe vetë të pandehurit”- thuhet në dosjen e prokurorisë. 

“Llune” ishte arrestuar më 13 qershor të vitit të kaluar në një lokal floktarësh në Mitrovicën Veriore. 

Arrestimi i tij u rezaliu brenda pak minutash nga Njësia Speciale Intervenuese (FIT) e Policisë së Kosovës. 

PAs këtij arrestimi u krijua një situatë e tensionuar, kur një grup qytetarësh serb u mblodhën pranë vendit ku ai po arrestohej me qëllim, kundërshtimin e veprimeve policore që po ndërmerreshin. 

Nga ky operacion arrestimi, mbetën të lënduar tre zyrtarë policore ndërsa u dogjën e dëmtuan edhe disa makina. 

Njëri nga zyrtarët policor u lëndua gjatë kohës sa “Llune” po arrestohej e dy të tjerë pas operacionit nga turma e personave që u mblodhën. 

KALLXO.com pati raportuar edhe në kohën kur ishte arrestuar “Llune” se gjatë rezistencës përvec policit kishte marrë lëndime edhe vetë i dyshuari. 

Ai kishte tentuar fillimisht që të kërcente nga disa shkallë por që operacioni i policisë ishte planifikuar mirë dhe ai po përcillej në cdo hap për tu vënë më pas në pranga. 

Madje gjatë kohës sa arrestimit ai kishte të veshur edhe një bluzë të klubit në të cilin përmendet se është trajner. 

Prokurori Shefkiu në aktakuzë ka përshkruar se Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, dhe ish policët Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, janë katër serbët e akuzuar për terrorizëm në lidhje me sulmin me granata në zyret e KKZ-së në Mitrovicën Veriore në dhjetor të vitit 2022.

Seanca fillestare për këtë rast ishte paraparë të mbahej gjatë ditës së djeshme, por që e njëjta u shty për datë tjetër.

Kallxo.com ka siguruar Dosjen e Prokurorisë ku përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike si dhe komunikimet e tyre elektronike.

Prej sot zyrtarisht unë jam zëvendëskomandant i brigadës së veriut… nuk ka tani mbrojtje civile, tani ka brigade të veriut”- ishte një prej mesazheve të cilat në Dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.

Pra në bazë të komunikimeve vihet re se ish-organizata “Mbrojtja Civile” tashmë është reformuar në “Mbrojtjen Civile”. 

Kjo e fundit u shpall terroriste gjatë vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës. 

“Aty shkunden dardhat… ti gjuaju ndonjë mollë”- ishin mesazhet e këmbyera në mes të Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, sipas Dosjes, duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok bomba. Shok bombat kishin shpërthyer ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe Policëve.

Granatat të cilat, sipas Dosjes, i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.

Ambulanca në fjalë thuhet në Dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë të Prokurorisë së Mitrovicës.

Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja.

Ndër provat e paraqitura në aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune”, përmbajtjen e së cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.

“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, qojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë”- ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviq dy javë para sulmit.

Po ashtu, në Dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.

Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e zyrave me gurë, duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në lokal.

Më tutje Dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.

E tërë kjo, sipas dosjes, thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes pamundësimit të zgjedhjeve lokale.

I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.

“Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit deri në mars të këtij viti.

Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.

Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.

Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq me mesazhin “hidhjani nga një mollë”.

Miomir Vakiq po ashtu gjatë deklaratës në Polici kishte mohuar veprimet inkriminuese të cilat rëndojnë mbi të.