4 serbët e akuzuar për terrorizëm – Çka ndodhi në gjykimin e sotëm?

Në  mungesë të disa prej shkresave të lëndës, me kërkesë të avokatëve të të akuzuarve është shtyrë gjykimi ndaj Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq, të akuzuar për terrorizëm lidhur me sulmet ndaj zyrave të KKZ–së në Mitrovicën e Veriut.

Sot ishte paraparë që ndaj katër të akuzuarve të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, kur në praktikë kjo seancë shërben që palët të deklarohen lidhur me fajësinë e tyre, pasi që prokurori ta lexon aktakuzën.

Kërkesën për shtyrje të seancës e kërkoi avokati Millosh Dejaviq, i cili përfaqëson të akuzuarin Aleksandër Vlajiq. Mbrojtësit e tjerë të të akuzuarve mbështetën deklarimin e avokatit Dejaviq.

Me aprovimin e kërkesës së tillë nga gjyqtari i çështjes, Valon Kurtaj, seanca e sotme u shty për të vazhduar me 30 janar të këtij viti.

Me të filluar Gjykimi për këtë rast, Kurtaj kishte udhëzuar mediat që të mos bëhet publikimi i fytyrave të të akuzuarve.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune, Dejan Pantiq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë katër tashmë të akuzuarit nga Prokuroria Speciale për sulmin terrorist të datës 6 dhjetor ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të veriut.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzën ndaj katër tashmë të pandehurve për veprën penale kryerje e veprës terroriste.

Sipas njoftimit, në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me datë 6 dhjetor të vitit 2022, të pandehurit me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, kanë sulmuar me granata dore dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së KKZ-së.

“Për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer  sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’ rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me këto incidente që ishin shënuar në atë kohë në veri të vendit.

Njëri nga mjetet shpërthyese, granatë, KALLXO.com kishte raportuar në atë kohë se ishte marrë në kontroll e më pas ishte shpërthyer nga ekipet e KFOR-it dhe të trajtimit të mjeteve eksplozive.

Në prill të këtij viti KALLXO.com pati raportuar se zyra nuk ishte funksionalizuar as në atë kohë, gati pesë muaj pas sulmit.

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor e cila gjendet në Mitrovicën Veriore ishte jashtë funksionit që nga data 6 dhjetor të vitit 2022. Kjo si pasojë e sulmit me mjete shpërthyese që u bë drejtë këtij objekti në ditën kur KQZ kishte dërguar të përzgjedhurit, zyrtarët e lartë për të nisur punën në këtë zyrë.

E gjitha kishte nisur kur fillimisht ishin përcaktuar datat e zgjedhjeve që do mbaheshin në katër komunat me shumicë serbe pas dorëheqjeve që u dhanë atje nga kryetarët e asamblistët.

Dorëheqjet pasuan pas suspendimit të ish-drejtorit të policisë në veri Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit kishte refuzuar që të vepronte në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe regjistrimin me targa RKS.

Ky suspendim shkaktoi tensione që pasuan për ditë me radhë.