Foto: FFK

Ndeshja Kosovë- Izrael, policia tregon masat që po merr për sigurinë e takimit

Kombëtarja e Futbollit të Kosovës do të përballet me Izraelin të dielën, më 12.11.2023,  në Stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian të Futbollit- “Euro 2024”.

Ndeshja Kosovë – Izrael është  dashur të luhet në muajin tetor, por u shty për shkak të shpërthimit të luftës në mes të Izraelit dhe Hamsait në Gaza. Zhvillimi i këtij takimi po pritet me interes pasi është përballja e parë e izraelitëve që nga fillimi i luftës, bashkë me të edhe dilemat rreth sigurisë së takimit.

Policia e Kosovës për KALLXO.com tha se  sikurse edhe në ndeshjet tjera kualifikuese sportive që ka ndërmarr masat e nevojshme operative në aspektin e sigurisë për mbarëvajtjen e takimit, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante, veçmas Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Edhe në këtë rast për ndeshjen sportive “Kosova – Izraeli” përmes urdhrit operativ ka paraparë ndërmarrjen e masave të sigurisë së përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes sportive. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, ka bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet relevante, përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës, me të cilët shkëmben, bashkërendon dhe koordinon aktivitetet dhe veprimet të cilat bien në fushën e sigurisë”- thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com.

Policia thotë se konform planifikimeve operacionale, do të kujdeset për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme policore, me qëllim që ky eveniment sportiv të kalojë qetë sikurse edhe eventet tjera sportive të kësaj natyre.

Kosova dhe Izraeli gjenden në grupin I në kudër të Kualifikimeve për “Euro 2024”. Në përpalljen e luajtur në Tel Aviv,  më 25 mars kombëtarja e Kosovës barazoi 1:1 me Izraelin.

Që nga 7 tetor 2023, Izraeli është në gjendje lufte me Hamasin në Gaza.