Nderohet jeta dhe vepra e doajenëve të arsimit prizrenas, Vedat Kiseri dhe Yll Zajmi
Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” sot ka mbajtur akademi përkujtimore për vdekjen e profesorëve, Vedat Kiseri dhe Yll Zajmi.
Në akademinë përkujtimore u mblodhën familjarë, miq e kolegë të të ndjerëve Zajmi e Kiseri.
Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Samedin Krrabaj, kujtoi profesorët Zajmi e Kiseri për të cilët tha se vepra e tyre do të jetojë gjatë për Prizrenin dhe Kosovën.
“Figurat si profesorët Kiseri dhe Zajmi janë doajenë të arsimit prizrenas dhe tërë Kosovës. Ka qenë nder për universitetin tonë që patëm profesorë si Zajmi dhe Kiseri. Vepra e profesorëve Yll dhe Vedat do të jetojë me ne përgjithmonë. Profesorët vunë themelet e Universitetit të Prizrenit për arsimimin e brezave të rinj” – tha Krrabaj.
Profesori universitar Xhafer Beqiraj tha se humbja e Zajmit është humbje e madhe për të gjithë ata që e kanë njohur.
“Vepra e Yll Zajmit do të kujtohet gjithmonë nga kolegët dhe studentët e institucioneve ku ata dhanë kontribut. Ndarja nga jeta është e dhimbshme dhe është një humbje shumë e madhe edhe për Universitetin e Prizrenit” – u shpreh Beqiraj.
Edhe profesoresha universitare, Sermin Turtulla, tha se profesor Kiseri dha kontribut si studiues e udhëheqës institucional, fillimisht si zëvendësdrejtor e pastaj drejtor i Shkollës së Lartë Pedagogjike, anëtar i pleqësisë në SHLP, dekan i Fakultetit të Edukimit – dega në Prizren, shef i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë, dhe së fundi anëtar i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prizrenit.
“Me një përvojë mbreslënëse prej më shumë se 40 vjet në arsim, prof. Vedat Kiseri ishte shëmbëlltyrë i të qenit profesor e pedagog nga i cili kam mësuar shumë. Është i dukshëm kontributi që dha në ngritjen e vlerës së mësimdhënies dhe në promovimin e gjuhës angleze te brezat e ardhshëm. Veprimtaria e tij akademike dhe vitaliteti i tij intelektual e ndërkombëtarizuan rininë shqiptare dhe i hapën dyert botës së zhvilluar evropiane e botërore” – tha Turtulla.
Ndërkaq ish-profesoresha e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren, Besa Pupa, ka kujtuar veprën e profesor Vedat Kiserit për të cilin tha se ka mësuar shumë dhe se meritat e profesorët Kiserit do të mbeten ne themelet e arsimit për gjeneratat e reja.
“Prof. Vedat Kiseri do të mbahet ndër mend si njëri prej themeluesve të arsimit të lartë në rajonin e Prizrenit dhe në rrafshin e Dukagjinit. Gjatë jetës së tij të begatshme intelektuale dhe akademike arriti të nxisë ndjenjen e dashurisë për gjuhën dhe letërsinë angleze tek qindra e mijëra djem e vajza shqiptare, të cilët tani përhapin flamurin ndërkombëtar të dijes në të gjitha trevat shqiptare” – tha Pupa.
Veprën dhe jetën e Vedat Kiserit dhe Yll Zajmit e kujtuan edhe familjarët e tyre.
Më 31 gusht të vitit 2022 ka vdekur Prof.Dr Vedat Kiseri kurse më 11 shtator ka vdekur Prof.Dr Yll Zajmi.