Foto: KALLXO.com

Nagip Krasniqit i vazhdohet paraburgimi

Për herë të dytë ish kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit i është vazhduar sot masa e paraburgimit edhe për dy muaj tjerë. Krasniqi u arrestua nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrim të ndikimit, dhe konflikt të interesit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit N. K., Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë  ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj” – thuhet në njoftimin e Gashit.

Të njëtit i ishte vazhduar paraburgimi edhe më datë 19 maj të këtij viti, me ç’rast mbrojtja e të akuzuarit i ishin drejtuar Gjykatës së Apelit.

Më 20 prill të këtij viti, Nagip Krasniqit i ishte caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Caktimin e masës së paraburgimit e kishin çuar deri në Supreme mbrojtja e Krasniqit, duke e konsideruar se sigurimi e klientit të tyre në procedurë mund të arrihej edhe me caktimin e ndonjë mase më të butë.

Gjykata Supreme kishte hedhur poshtë si të pabazuara pretendimet e mbrojtjes, duke i vlerësuar si të drejta dhe të ligjshme vendimet për masën e paraburgimit edhe nga themelorja, edhe Apeli.

Sipas Supremes me gjetjen në liri të të dyshuarit, ekziston rreziku i asgjësimit, fshehjes apo ndryshimit të provave të veprave penale, duke ndikuar në dëshmitarët të cilët kanë njohuri lidhur me rastin si A. Sh., Y. D., R. B., S. I., E. T., etj.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Krasniqi më 26 janar 2023, dyshohet se kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Ai dyshohet se duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5 ”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litwin SA, me çmim prej 3,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës.

Dosja e Prokurorisë tutje thekson se i dyshuari Nagip Krasniqi “Duke qenë në dijeni se operatori ekonomik ka interes financiar, pas nënshkrimit të kontratës me të me procedurë të negociuar, përfaqësuesit e saj respektivisht I. Z.,  e ka angazhuar në cilësi të mbrojtësit për veti gjatë disa procedurave hetimore, e të cilat procedura nga ana e organeve të ndjekjes zhvilloheshin për çështje të dyshuara pikërisht të ndërlidhura me KEK-un”.

Më 25 prill, Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Nagip Krasniqit mund ti lexoni duke klikuar në LINK.