Foto: KALLXO.com

Dosja - Nagip Krasniqi e 'kishte shpërfillur rekomandimin e komisionit vlerësues për anulimin e kontratës'

Kryeshefit të arrestuar të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare i është refuzuar ankesa për ndërprerjen e masës së paraburgimit nga Gjykata e Apelit.

Apeli ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij të vendosur nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë Komisioni vlerësues i tenderit kishte rekomanduar anulimin e aktivitetit të prokurimit me arsyetimin se operatori ekonomik “L…  S..” nuk i është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta.

“Përkundër këtij rekomandimi, Nagip Krasniqi kishte urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit  Y. D. që të nënshkruante këtë kontratë e cila kontratë duke mos u ekzekutuar Korporatës i ka shkaktuar dëme dhe pasoja të drejtpërdrejta dhe të pariparueshme financiare në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktvendimin e Apelit të siguruar nga Kallxo.com.

Mbrojtja e të pandehurit Krasniqi përmes një reagimi në Facebook, ka deklaruar se Apeli i ka besuar fjalës së Prokurorisë, ndonëse e njëjta nuk i ka dorëzuar gjykatës asnjë provë të vetme, vendimin për vazhdim të paraburgimit e mbështesin vetëm në pretendime të prokurorisë.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të datës 20.04.2023, dyshohet se Nagip Krasniqi prej  vitit 2022, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

Sipas dosjes së prokurorisë Krasniqi më 26 janar 2023, kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1(iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5  ”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin  SA, me çmim prej 3.,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës.

Dosja e Prokurorisë tutje thekson se i dyshuari Nagip Krasniqi “Duke qenë në dijeni se operatori ekonomik ka interes financiar, pas nënshkrimit të kontratës me të me procedurë të negociuar, përfaqësuesit e saj respektivisht I. Z..,  e ka angazhuar në cilësi të mbrojtësit për veti gjatë disa procedurave hetimore, e të cilat procedura nga ana e organeve të ndjekjes zhvilloheshin për çështje të dyshuara pikërisht të ndërlidhura me KEK-un”.

Sipas dosjes së Apelit, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit sepse po te gjendet në liri i pandehuri, do të mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, për faktin e ndikimit në dëshmitarët të cilët kanë njohuri lidhur me ngjarjen si A. Sh., Y. D., R. B., S. I., E. T., etj., në dëshminë e të cilëve ekziston rreziku që të ndikohet lehtë për faktin se shumica prej tyre janë vartësit e tij, pasi që të njëjtit nuk janë dëgjuar nga ana e Prokurorisë.

Sipas kësaj gjykate ekziston rreziku që i pandehuri po të gjendet në liri do të pengojnë në rrjedhën normale të procedurës penale që është duke u zhvilluar lidhure me këtë rast penal.

Kujtojmë që kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill 2023 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK