Besian Mustafa. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mustafa - Nagavcit: Paguhesh për ta udhëhequr arsimin e jo për t’i rrudhur krahët

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar ndaj propozimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që për blerjen e librave shkollorë paratë t’u transferohen prindërve.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa i ka drejtuar disa pyetje ministres Nagavci.

“Oj Ministre! Çka do të bëjnë ata prindër që NUK kanë mundësi t’i blejnë e të presin ty deri t’ua transferosh mjetet në bankë? Pse duhet DETYRIMISHT ta hapin këta prindër një llogari bankare për ti blerë librat e fëmijëve? Çka të bëjnë prindërit e zonave rurale që duhet shpenzuar për të shkuar në qytet të hapin llogarinë? Çka të bëjnë prindërit që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë e aplikimit online?”- ka shkruar ai.

Mustafa tutje i ka thënë ministres Nagavci se paguhet për të udhëhequr arsimin dhe jo për të rrudhur krahët.

“Kollaj është të i fshish duart “bëni zgjidhje vet”. Vështirë është të udhëheqësh me arsimin. Por, ti paguhesh për të udhëhequr, e jo për të rrudhur krahët”- ka shkruar ai.

Sot në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se janë duke shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’u transferohen drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova.

Sipas saj, për këtë çështje pritet të vendoset brenda këtyre ditëve.

MASHTI shqyrton mundësinë që paratë për blerjen e teksteve shkollore t’ua transferojë prindërve