Musliu-Shoshi ia lëshon në Kuvend deklaratën Bislimit për Asociacionin, e pyet – Kur po jep dorëheqje?

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshi i ka rikujtuar një deklaratë zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se nëse Qeveria ndryshon qëndrim për dialog, ai nuk do të jetë më pjesë e dialogut.

Përmes një video-incizimi, Musliu-Shoshi ka pyetur Bislimin se si është qëndrimi i tij sot në raport me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Musliu Shoshi ka lëshuar përmes mikfrofonit një pjesë të intervistës së Bislimit, ku flet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Meqë injoranca, ofendimet, gënjeshtrat janë argumentet e tua më të fuqishme, sot kam vendosë që të ballafaqojë me veten dhe pres qëndrimin tënd: “Në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për asociacion edhe thotë do të krijohet asociacioni qoftë edhe me kompetenca jo ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog”. Cili është qëndrimi juaj sot?”- tha Musliu-Shoshi.

Në anën tjetër, Bislimi e quajti të pakuptim atë që siç tha ai “epshin tuaj për të marrë vëmendje publike“.

“Faleminderit për pyetjen dhe përkujdesin maksimal të përcillni çdo detaj të intervistave të mija në vazhdimësi. Po ashtu është e pakuptimtë epshi juaj për të marrë vëmendje publike por është e pa rëndësishme” – ka deklaruar Bislimi.

Më pas, kryeparlamentar Glauk Konjufca ka ndërhyrë duke i  tërhequr vërejtjen Bislimit për gjuhën e përdorur gjatë fjalës së tij .

“Kujdes fjalorin zotëri Bislimi”- tha Konjufca.

Në shpjegimin e tij, zëvendëskryeministri tha se është shkëputur vetëm një pjesë të intervistës, teksa tha se kushtet për të cilat ka folur në atë intervistë nuk janë plotësuar.

“Është mirë që kur të përcillni intervistat, të përcillni intervistën e jo fjalinë. Në atë intervistë thuhet: “Për cështjen e minoriteteve do të diskutojmë atëherë kur sovraniteti integriteti territorial dhe funksionaliteti i Kosovës nuk është në pikëpyetje, asnjë prej këtyre kushteve nuk janë përmbushur” është deklarata e 23 qeshorit 2022”- deklaroi Bislimi.

“Merreni marrëveshjen e 27 shkurtit dhe shihni a vihet në pikëpyetje sovraniteti dhe çka thuhet për funksionalitetin e Kosovës”- shtoi ai.

Në një replikë, Musliu-Shoshi e ka pyetur zëvendëskryeministrin se kur do të jep dorëheqje nga pozita e tij, mirëpo i njëjti nuk ka dalë në foltore për t’u përgjigjur.