Musliu: E tmerruar me vendimin e Speciales për dënimin me 26 vite për Sali Mustafën

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për ta dënuar me 26 vite burg, Sali Mustafën i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali”.

Përmes një postimi në facebook, deputetja Musliu është shprehur se ndihet e tmerruar nga vendimi i sotëm.

“E tmerruar nga vendimi i gjykatës në Hagë!!!Faleminderit Zot, që ma dhe durimin me e përballu stresin e presionit që m’u shkaktua kur po votohej Gjykata Speciale. Faleminderit që ma dhe guximin qe t’iu qëndroj fort bindjeve të mia të familjes, farefisit dhe shoqërisë sime”, ka shkruar ajo.

“Faleminderit të gjithë atyre që më mbështeten e më përkrahen në ato ditë torturuese që më besuan dhe më dhanë kurajo kur vendosa të votoj kundër kësaj gjykate që sot po e përdhosë gjakun e sakrificën e popullit tim”- ka vazhduar ajo.

Deputetja Musliu ka thënë se e ka ndërgjegjen e pastër që nuk ka votuar pro gjykatës speciale, por ka shtuar se ndjen dhimbje për komandant ‘Calin’.

“Sot edhe pse ndërgjegjen e kam të pastër, shpirti im është rënduar nga dhimbja për Calin dhe për veprën sublime të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, për kryeveprën e historisë sonë kombëtare. Lavdi e përjetshme luftës së CALIT dhe UÇK-së”, ka theksuar ajo.

Sali Mustafa i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali” është gjetur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje e paligjshme, duke u dënuar me 26 vite burgim.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

VIDEO – Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim